Tre policë janë vrarë nga një shpërthim bombe në një stacion policor në Kolumbi pasi mijëra protestues u mblodhën për protesta të reja. Në kryeqytetin e vendit, Bogota, disa protestues filluan edhe t’i plaçkitnin dyqanet.
Një burim policor tha se dhjetë pjesëtarë të tjerë të sigurisë u lënduan nga shpërthimi që ndodhi në orët e vona të së premtes në qytezën Santander de Quilichao, e cila shtrihet në një rajon të njohur për trafikim të drogës dhe dhunë.
Ky burim nuk fajësoi ndonjë grup të armatosur për shpërthimin e bombës, ndërsa më shumë të dhëna pritet të jepen gjatë një konference të paralajmëruar të policisë të shtunën në mëngjes.
Rreth 250 mijë persona protestuan të enjten për ta shfaqur pakënaqësinë ndaj presidentit Ivan Duque. Protesta pati edhe të premten në njërin nga sheshet e Bogota-s.
Policia i shpërndau protestuesit, në mesin e të cilëve kishte edhe persona të moshuar dhe familjarë, duke përdorur gaz lotsjellës. Megjithatë, disa protestues u bënë bashkë përsëri më vonë dhe i vazhduan brohoritjet.
Thirrje për nisjen e këtyre protestave bëri ish-kandidati majtist për president, Gustavo Petro. Protestuesit janë të zemëruar me atë që e quajnë mungesë të masave nga qeveria për t’i ndaluar korrupsionin dhe vrasjen e aktivistëve për të drejtat e njeriut, shkruan “The Guardian”