Këshilli i Ministrave vendosi hapjen e konsullatës së Përgjithshme në Ulqin. Lajmin e bën të ditur ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, sipas të cilit ky është një lajm fantastik për Shqipërinë e shqiptarët.
“Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, me nismë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, përfundimisht ka vendosur për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Ulqin. Ky vendim do t’i shërbejë veçanërisht ruajtjes së identitetit kulturor e kombëtar dhe kohezionit shoqëror e politik të faktorit shqiptar në Mal të Zi”, theksoi Cakaj.
“Ne do të vazhdojmë punën përmbajtësore në funksion të objektivit kombëtar të thellimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve në rajon dhe themelimit të platformave të përbashkëta politike”, përfundoi ministri Cakaj.