Dhunimi dhe përdhunimi i një 26-vjeçareje në Vlorë ka qenë lajmi që ka tronditur qytetin e Vlorës ditët e fundit. Ka qenë gazetarja Afrovita Hysaj, e cila ka nxjerr detaje në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ku theksoi se të rënë e droguan dhe përdhunuan 4 persona dhe jo 3 sa u deklarua në fillim.
Por në këtë moment babai i një prej personave që dyshohet se ka marrë pjesë në ngjarje ka kërcënuar gazetarën për informacionin e publikuar. Pronari i televizionit ‘6plus1’ në Vlorë fillimisht ka bërë një shkrim denigrues dhe fyes për gazetaren, ndërkohë që 57-vjeçari me iniciale A.D, e ka kërcënuar në WhatsApp me meszhin: Je në gjak me mua.
Pas kësaj ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve që e ka dënuar kërcënimin e bërë ndaj gazetarës Hysaj. Po ashtu Unioni ka kërkuar nga Policia dhe AMA që të marrin masa ndaj këtij televizioni dhe pronarit të tij, i cili ka bërë kërcënimin.
Deklarata e Unionit të Gazetarëve:
Precedent i rëndë i kanalit 6+1 Vlora me emrin dhe imazhin e një gazetareje Tiranë më 24 Tetor 2023 Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga publikimi i një raporti faqen e kanalit 6+1 Vlora me titull: ” …” Afrovita Hysaj mashtron qytetarët e Vlorës”, i publikuar në datën 24 Tetor 2023, nga media vendore në onlinin e kësaj medieje. Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore. Rasti në fjalë ka tronditur gjithë opinionin profesional dhe ka hapur diskutime të shumta mes entitetit tonë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një akt të rëndë. Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë që editori i kësaj medieje, administratori i tij, në mënyrë urgjente të tërheqë nga publikimi dhe faqet zyrtare të medias, këtë raport. Në përputhje me kodet e etikës dhe rregullat e gazetarisë, të reflektojë menjëherë, pasi ky material në tekstin e vet përmban edhe vlerë antiligjore. Kërkesa jonë bazohet në respekt dhe mishërim të parimeve dhe normave të një gazetarie, si mision publik, në shërbim të publikut dhe jo si një “mjet privat që mund të presë dhe lëndojë qytetarë, e aq më tepër, persona të medias. Ky rast meriton ndërhyrjen e menjëhershme të organizatave që merren me mbrojtjen e etikës, parimeve dhe normave të komunikimit publik dhe aq më tepër të raportimit me standart. Në mënyrën më urgjente i kërkojmë kësaj medieje të reagojë dhe të kërkojë ndjesë publike për rastin që shkaktoi.
Por mbrëmjen e sotme ka reaguar edhe policia, e cila ka njoftuar se 57-vjeçari është proceduar penalisht për veprën penale të ‘Kanosjes’. Po ashtu në njoftimin e saj, policia bën me dije se janë 4 persona që kanë marrë pjesë në drogimin dhe përdhunimin e të resë. Deri më tani 3 prej tyre janë arrestuar, ndërkohë që një 36-vjeçar me iniciale V.K është shpallur në kërkim.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, shtetasi A. D., 57 vjeç, banues në Vlorë pasi: Shtetasja A. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion gazetare, ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, nga ky shtetas, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Gjithashtu në vijim të njoftimit të dhënë më datë 22.10.2023, për vënien në pranga të 2 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një shtetasi tjetër, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 26-vjeçare, të cilën paraprakisht e kanë nxitur të përdorë lëndë narkotike, sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar hetimet e thelluara për këtë rast. Në vijim, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, dhe vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit O. T., A. C. dhe G. M., për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.