Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë, garanton zbatimin e tyre.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas një maratonë takimesh që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, të enjten në Bruksel, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se pala tjetër nuk është.
“Presidenti i Serbisë, (Aleksandar ) Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.
Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë.
Ai dhe Vuçiq u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Më pas, dy udhëheqësit u takuan edhe veç e veç me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun, pas sulmit të armatosur në Banjskë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane.
Burimet nga BE-ja nuk e përjashtuan më herët mundësinë e takimit të përbashkët Kurti-Vuçiq, por një i tillë nuk ndodhi.
Ato thanë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësuan se për çka bëhet fjalë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, të njohur si “pesëshja e madhe”, vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqitën palëve një plan për normalizimin e marrëdhënieve.
Stano konfirmoi të martën se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, të dakorduar në Ohër.
Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas Radios Evropa e Lirë