Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Merrick Garland ka deklaruar se ka pasur një rritje të konsiderueshme të kërcënimeve ndaj hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve javët e fundit.
Ai përsëriti angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur penalisht autorët. Duke folur në një forum për krimet me bazë urrejtjen, Garland vuri në dukje se në informimet e tij të përditshme, ai ka vënë re rritje e kërcënimeve kundër këtyre grupeve.
Prokurori i Përgjithshëm përmendi arrestimin e një studentit të Universitetit Cornell, Patrick Dai, një i ri 21-vjeçar, për kërcënimet që ai dyshohet se postoi në një forum diskutimi në internet këtë fundjavë kundër studentëve hebrenj të universitetit.
“Siç tregon ky arrestim, ne po i përqendrojmë përpjekjet tona në përballjen dhe ndërprerjen e kërcënimeve të paligjshme kudo që ato shfaqen. Departamenti i Drejtësisë nuk ka tolerancë ndaj dhunës, apo kërcënimeve të paligjshme të dhunës të nxitura nga antisemitizmi apo islamofobia”, tha Garland.
21-vjeçari pritet të paraqitet në gjykatën federale të mërkurën pasdite.
“Unë e njoh frikën, zhgënjimin dhe izolimin që shumë prej jush kanë ndier gjatë javëve të fundit dhe që vazhdoni të ndjeni ndërsa ne bashkohemi me ne sot këtu. Unë dua të përsëris një parim thelbësor të këtij Departamenti të Drejtësisë: Asnjë person dhe asnjë komunitet në këtë vend nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës së nxitur nga urrejtja”, tha Garland.