Hetimi i parave me të cilat loboi në SHBA për foton me Donald Trump po e ndjek Lulzim Bashën ende pas 6 vitesh. Ndërsa dosja në Shqipëri është mbyllur dhe debatet politike u devijuan tek çështja McGonigal, BBC ka publikuar një investigim mbi kompanitë guaskë në ishujt Sejshelle, ku del sërish emri i Lulzim Bashës dhe historia e tij me kompaninë Biniatta Trade LP.
Gazetarët e BBC kanë zbuluar se një prej kompanive me bazë në Ishujt Sejshelle, “Alpha Consulting” funksiononte me më shumë se 900 partneritete biznesi në Mbretërinë e Bashkuar, mes të cilëve biznesmenë dhe politikanë të rrethit të afërt të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Një prej këtyre partneriteteve është me Biniata Trade, kompania guaskë e njohur për publikun shqiptar falë përdorimit që i bëri Lulzim Basha për të paguar lobistin amerikan, Nick Muzin në vitin 2017, në këmbim të një fotoje me Donald Trump dhe disa takimeve dhe intervistave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shkrimi i BBC me titull “Kriminelët dhe të sanksionuarit që shfrytëzojnë Mbretërinë e Bashkuar” nis me emrin e Jevgeni Prigozhin, ish-shefi i trupave Wagner, që humbi jetën pasi iu kundërvu Putinit pak kohë më parë. Për t’i shpëtuar sanksioneve të Perëndimit, Prigozhin kishte fshehur jahtin dhe një avion privat përmes një kompanie partnere me “Alpha Consulting”. Njësoj si ai janë qindra të tjerë, persona që kishin një pasuri për të fshehur, për shkak të origjinës kriminale të parave, për shkak të aktivitetit ilegal, apo për shkak të sanksioneve që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.
Mijëra dokumente janë shqyrtuar nga gazetarët e BBC për të analizuar të dhënat e kompanive që shfrytëzuan partneritetin me kompaninë guaskë Alpha Consulting. Sistemi britanik duket se ka të çarat e tij dhe shembujt janë të shumtë.
“Përveçse i shërbente rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, Alpha Consulting ishte një fabrikë sekrete – një nga kompanitë më frytdhënëse në keqpërdorimin e boshllëkut ligjor në Mbretërinë e Bashkuar. Disa nga partneritetet që u krijuan kanë qenë të përfshirë në mashtrime, një prej tyre shiste ese në internet për të interesuarit. Një tjetër është akuzuar për ndërhyrje në një zgjedhje të huaj” shkruan BBC.
Shkrimi vazhdon me përfitimet e Prigozhin nga partneriteti i kompanisë së tij me Alpha Consulting. Bosi i mercenarëve rusë kishte përdorur ishujt Sejshelle për të shmangur sanksionet, pasi kishte në pronësi një jaht dhe një avion privat. Të dy mjetet ishin në pronësi të një kompanie që ishte regjistruar në emër të vjehrrës së Prigozhinit. Duke qenë në partneritet me Alpha Consulting, autoritetet e kishin të pamundur të zbulonin emrat që fshiheshin pas bashkimit të dy kompanive.
BBC sjell më tej rastin e Leonid Reiman, një mik i ngushtë dhe bashkëpuntor i Vladimir Putinit. Edhe ky shfrytëzoi të njëjtën infrastrukturë për të fshehur paratë e tij të korrupsionit. Në vitin 2006, kur ishte ministër i komunikimit i Rusisë ai u shpall fajtor nga një gjykatë zviceriane për ryshfet. Ndërkohë kishte përfituar nga bashkimi i kompanive me Alpha Consulting për të qarkulluar paratë e tij.
Në foton më lart është një biznesmene ruse e quajtur Victoria Valkovskaya, drejtuese e kompanisë “Alpha Consulting”. Ajo ndihmoi në krijimin e 927 partneriteteve të kufizuara – një në pesë nga ato të regjistruara në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut që nga viti 2017.
Si provë se sistemi i kontrollit financiar në Mbretërinë e Bashkuar ka dështuar, shkrimi i BBC sjell rastin kur bashkimi me kompaninë Alpha Consulting u përdor edhe nga një politikan pro-rus në Ukrainë për të transportuar naftë, u përdor edhe nga një kompani e pacertifikuar që shiste ilaçe për zemrën, nga një kompani që shiste ese në mënyrë të jashtëligjshme etj.
Sipas raportimit, shqetësimi për autoritetet britanike është se kompanitë offshore po përdoren gjithnjë e më shumë për pastrim parash, mashtrim apo edhe për financimin e terrorizmit.
Këtu vijmë tek rasti i Lulzim Bashës, që së fundmi është emëruar nga Këshilli i Evropës si raportues për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Basha është pyetur nëse ka konflikt interesi me përgjegjësinë që iu ngarkua dhe e ka mohuar këtë. Por gazetarët risjellin historinë e parave me të cilat pagoi lobimin në SHBA. Edhe në rastin e tij, njësoj si në rastet e rusëve të sanksionuar skema është e njëjtë: bashkëpunimi me Alpha Consulting. Më poshtë është e përkthyer ajo pjesë e raportimit që lidhet me Lulzim Bashën në shkrimin e BBC.
“Alpha mund të ketë shkelur ligjin në lidhje me partneritetet skoceze, gjë që kërkon që njerëzit që vërtet i kontrollojnë ato të zbulohen. Në mars 2017, firma e përfshirë, Biniatta Trade LP, pagoi një lobist amerikan në emër të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Lobisti organizoi takime me politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh, ku zoti Basha mundi të realizonte një foto me Presidentin e atëhershëm Donald Trump – e përdorur më vonë në fushatën zgjedhore shqiptare.
Raportet e vitit të kaluar sugjeruan se inteligjenca amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, slogani i të cilit ishte “Ta bëjme Shqipërinë të Madhe sërisht”, ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë.
Pronësia e Biniatta-s ishte fshehur përmes sekretit offshore dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara të Alpha përfshijnë një marrëveshje nga viti 2015, kur u krijua partneriteti, i cili nxirrte pronar përfitues një shtetas rus të quajtur Maxim Trofimets.
Në verën e vitit 2017, kur ligji për partneritetet skoceze ndryshoi, z. Trofimets nuk u deklarua si “personi i kontrollit të rëndësishëm” të Biniatta-s. Një kandidat i Alpha deklaroi në mënyrë të rreme se firma kishte dhënë të gjithë informacionin që duhej. Të nesërmen, i njëjti kandidat i Alpha nënshkroi fshehurazi një marrëveshje të re autorizimi, duke rinovuar kontrollin e z. Trofimets mbi Biniatta.
Pas raportimeve të mediave për një lidhje të mundshme me Rusinë në vitin 2018, pronarja e Alpha-s Victoria Valkovskaya tregoi në një email se si Biniatta mund të fshehë pronësinë e saj.
Pronësia e Biniatta mund të ristrukturohet duke përdorur skemën me pesë këshilltarë të emëruar “për të mos deklaruar një person kontrollues”.
Kjo do të jepte idenë se asnjë person nuk kishte kontroll mbi 25% të kompanisë. Ky është pragu i nevojshëm për të deklaruar një person si kontrollues i shumicës së aksioneve, thotë ligji i Mbretërisë së Bashkuar.
Biniatta ndau aksionet dhe kështu nuk u deklarua asnjë person me kontroll të rëndësishëm.
Në shtator të këtij viti, Këshilli i Evropës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus. Ai tha se nuk kishte konflikt interesi. BBC u përpoq të kontaktonte z. Trofimets dhe z. Basha, por ata nuk u përgjigjën.
Zonja Valkovskaya, drejtoresha menaxhuese e Alpha, mohoi “kategorikisht” që kompania e saj të ishte e përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm. “Ne kemi ndjekur gjithmonë ligjin. Përdorimi i të nominuarve nuk është diçka e re apo e paligjshme në industri,” tha ajo.
Alpha Consulting tha se “përfshirja e saj në partneritetet e kufizuara me bazë në Mbretërinë e Bashkuar është e kufizuar në ofrimin e këshillave dhe asistencës për regjistrimin, inkorporimin dhe strukturimin e tyre në përputhje me rregulloret e MB”.
Ajo nuk “angazhohet, ose merr asnjë përgjegjësi për, menaxhimin, funksionimin ose vendimmarrjen e klientëve tanë fundorë ose kompanive që ne i ndihmojmë të formohen”.
Alpha tha gjithashtu se ka kujdesin e duhur dhe procedura kundër pastrimit të parave që janë në përputhje me ligjin. Muajin e kaluar, Seychelles u shtua në listën e zezë të parajsave fiskale të BE-së” e mbyll BBC shkrimin.
Lulzim Basha i ka mohuar gjithnjë akuzat për financim nga Rusia. Kur është pyetur për origjinën e parave, ai ka thënë se kanë qenë financim i diasporës shqiptare, ndërsa ka mohuar çdo lidhje me Biniatta Trade LP.
650 mijë dollarë u paguan nga Partia Demokratike në prag të zgjedhjeve të qershorit 2017, kur Basha siguroi një takim të shkurtër dhe fotografi me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, kompania lobuese “Stonington Strategies” deklaroni se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD.
Për hetimin e Bashës në lidhje me këtë çështje u angazhua edhe ish-shefi i zyrës së FBI në Neë York, Charles Mcgonigal, të cilit iu ofruan materiale dhe dëshmitarë nga zyra e kryeministrit Edi Rama./Lapsi.al