Dëmet masive nga tërmeti i të martës së 26 nëntorit do të duan kohë për tu rikuperuar por nga qeveria vjen garancia se kjo gjë do të ndodhë.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një dalje për mediat tha se shtëpitë do të rindërtohen, bizneset do të ringrihen, jeta do të rifillojë për të gjithë qytetarët.
Xhaçka falënderoi të gjithë vullnetarët, donatorët dhe partnerët për solidaritetin dhe mbështetjen e ofruar në burime njerëzore dhe materiale.
Ministrja tha se rreziku nuk ka kaluar ende ndaj dhe porositi qytetarët që kanë banesat e tyre të dëmtuara nga tërmeti të qëndrojnë larg tyre derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve të cilat janë organizuar tanimë dhe do te jene ne terren 24 ore në ditët në vijim.
Po ashtu ajo u bëri thirrje të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish.
Deklarata e Xhaçkës:
Tërmeti i datës 26 ishte vërtet një ngjarje e rëndë. Ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndjesi të cilat përsëriten sa herë toka lëkundet, ashtu sic ndodhi disa minuta me parë, ka shkaktuar dëme masive që do të duhet kohë për t’i rekuperuar.
Por do t’i rekuperojmë. Shtëpitë do të rindërtohen, bizneset do të ringrihen, jeta do të rifillojë për të gjithë qytetarët dhe do të keni të gjithë mbështetjen tonë, gjithë mbështetjen e shtetit shqiptar, partnereve nderkombetare, qytetareve shqiptare, për të kaluar këtë situatë të vështirë e për të rifilluar nga e para.
Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit.
Kjo ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, eshte pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit që kemi parë brenda dhe jashtë vendit.
Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, sic jam e bindur edhe te gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve që përpiqeshin e përpiqen te ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive te tyre.
Dhe jam vërtet mirënjohëse dhe pa fjalë në fakt, nga ata qindra e mijëra shqiptarë të thjeshtë, që kanë vërshuar të ndihmojnë, duke asistuar në operacionet e kërkim shpëtimit, duke dhuruar ushqime e veshmbathje, duke hapur dyert e shtëpive apo hoteleve për të strehuar ata që janë prekur nga kjo tragjedi.
Dua t’i falenderoj edhe njëherë të gjithë qytetarët që ende sot po vazhdojnë të punojnë vullnetarisht, të palodhur e shpesh duke rrezikuar shumë. Ashtu siç dua të falenderoj edhe të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë, e mbi të gjitha vëllezërit e motrat tona kosovare që na janë gjendur ashtu siç dinë shqiptarët t’i gjenden njëri tjetrit në orët e tyre të vështira. Jam pa fjalë. Faleminderit nga zemra.
Por dua ta shfrytëzoj këtë rast per te përsëritur te njëjtin mesazh. Ende nuk ka kaluar faza e rrezikut. Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua te përsëris thirrjen per qytetaret; Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja nëqoftëse ato kanë dëmtime të tilla. Edhe nëse nuk jeni të sigurtë, është më mirë për ju, për familjet tuaja që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve te cilat jane organizuar tanimë dhe do te jene ne terren 24 ore ne ditet ne vijim.
Po ashtu dua tu bej thirrje të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara.
E di që ky proces ka nisur vetëm sot. Prandaj kjo e imja nuk është një kritikë, por një paralajmërim që të investohen tek ky proces me gjithë seriozitetin që meriton kjo situatë dhe meritojnë qytetarët shqiptarë. Sigurisht per te gjitha ato mungesa ne kapacitete profesionale qe bashkitë mund te kenë, do te asistohen nga profesioniste te institutit te ndërtimit apo shoqatës se ndërtuesve per ta kryer procesin e verifikimit ne kohe sa me te shpejte.