Trump: Armëpushimi me Iranin është “në respirator”/ Teherani përgjigjet: SHBA do habitet nga reagimi ynë

albnews
By
3 Min Read

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të mbeten të larta, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes dy vendeve është “në respirator”, ndërsa Irani paralajmëroi se është gati t’i përgjigjet çdo agresioni dhe se SHBA “do të surprizohet” nga reagimi i tij.

Gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë, Trump e cilësoi armëpushimin “jashtëzakonisht të dobët”, duke përdorur një krahasim dramatik: “Armëpushimi është në respirator… si kur doktori hyn dhe thotë se i afërmi juaj ka vetëm 1% shanse për të mbijetuar”, u shpreh ai. Presidenti amerikan sulmoi ashpër edhe përgjigjen që Teherani i dërgoi SHBA-ve përmes Pakistanit lidhur me propozimin për paqe dhe rihapjen e negociatave.

“Ajo copë mbeturine që na dërguan… as nuk e mbarova së lexuari”, deklaroi Trump, duke e quajtur ofertën iraniane “plotësisht të papranueshme”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, mbrojti propozimin e Teheranit, duke e cilësuar “të përgjegjshëm” dhe “bujar”.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se forcat iraniane janë gati të kundërpërgjigjen ndaj çdo sulmi.

“Forcat tona të armatosura janë të gatshme të japin një përgjigje të merituar ndaj çdo agresioni”, deklaroi ai.

Sipas mediave iraniane, oferta e Teheranit përfshin fundin e menjëhershëm të luftës në të gjitha frontet, ndalimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, garanci për moskryerje sulmesh të tjera dhe kompensim për dëmet e luftës.

Irani ka kërkuar gjithashtu njohjen e sovranitetit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, e cila vazhdon të mbetet pjesërisht e bllokuar, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në tregjet globale.

Ndërkohë, SHBA njoftoi një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vendosur masa ndaj tre personave dhe nëntë kompanive të lidhura me Teheranin, disa prej tyre me bazë në Hong Kong.

Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se lufta nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa çmontimin e kapaciteteve bërthamore iraniane.

Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi muajin e kaluar, tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa përplasjet sporadike dhe kërcënimet mes palëve vazhdojnë.

Share This Article