Në një e-mail dërguar punonjësve të tij, Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken pranoi se ka mosmarrëveshje brenda Departamentit lidhur me qasjen e administratës së presidentit Joe Biden ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas CNN, në e-mailin që Blinken u dërgoi punonjësve të ministrisë thuhet: “Unë e di që për shumë prej jush, dhimbja e shkaktuar nga kjo krizë ka ndikim të thellë”.
Blinken tha se ishte zemërthyese të shihje imazhet e foshnjave, fëmijëve, të moshuarve, grave dhe civilëve të tjerë që vuanin në këtë krizë dhe se ai “e ndjente këtë”, raporton media turke Anadolu.
Ai thotë se disa punonjës në Departament mund të mos pajtohen me qasjet e ndërmarra nga qeveria në lidhje me Gazën.
“Punonjësit mund të kenë mendime se çfarë mund të bëhet më mirë. Ne besojmë se Gaza duhet të bashkohet me Bregun Perëndimor dhe të administrohet nga palestinezët. Rindërtimi i rajonit duhet të mbështetet nga një mekanizëm i qëndrueshëm”, tha Blinken.
Në SHBA, 100 diplomatë nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) akuzuan presidentin Biden për “përhapjen e informacionit të rremë” në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza.
Në deklaratën e nënshkruar nga diplomatët thuhej se “Izraeli kryen krime lufte në Gaza” ndërsa këshillohej Biden të vinte në dyshim më shumë veprimet e Izraelit.