Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se vendi i tij do të ndërtonte 500 njësi banimi në Shqipëri.
”Shpresojmë që ekipet tona do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”, deklaroi Erdogan.
“Në Shqipëri ra tërmet. Ministria e Mjedisit dhe Urbanizmit, në kuadër të Administratës së Zhvillimit të Strehimit Publik (TOKI), do të zhvillojë punimet në vendet e përshtatshme dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi në Shqipëri”, tha Erdogan në ceremoninë e vendosjes të gurit të themelit në një kompleks të Universitetit të Marmarasë në Stamboll.
“Kjo është përgjegjësia që na e ngarkon qytetërimi ynë, pra, vëllezërit turq do të ndërtojnë atje 500 njësi banimi për vëllezërit shqiptarë”, theksoi presidenti turk.
“Ashtu sikurse dërguam me avion ekipet tona, kamionë dhe vendosëm tenda, edhe tani do të veprojmë njëlloj duke ndërtuar sa më parë këto njësi banimi dhe do të zgjasim dorën tonë të ndihmës për ata njerëz që janë në vështirësi në këto ditë dimri”, shtoi presidenti Erdogan./ATSH/