Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Vienë, u prit në një takim nga Sekretarja e Përgjithshme e OSBE, Helga Schmidt.
Ministri Hasani vlerësoi angazhimin e OSBE në mbështetje të angazhimit rajonal, teksa ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për punën e kësaj organizate në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Më herët, ministri Hasani zhvilloi një takim me Sekretarin Ekzekutiv të Organizatës së Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBTO), Robert Floyd, në Vienë.
Ministri ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për multilateralizëm efektiv dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me CTBTO për të siguruar respektimin universal dhe zbatimin e plotë të traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore”, theksoi ministri.
Ministri Hasani shprehu mirënjohjen ndaj Sekretarit Ekzekutiv Floyd për përpjekjet e tij dhe bashkëpunimin e shkëlqyer midis CTBTO dhe Misionit të Shqipërisë në Vienë.
Ministri u takua me Drejtoren Ekzekutive të Zyrës së OKB për Drogën dhe Krimin (UNODC), Ghada Waly.
Gjatë takimit theksoi se mbështetja dhe bashkëpunimi i Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin është jetik për të koordinuar prioritetet dhe objektivat tona të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional.
“Shqipëria është gatshme për t’u përfshirë në mënyrë më konkrete në Programin e ri Rajonal të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin”.
Gjithashtu, Ministri Hasani shprehu mirënjohjen për Drejtoreshën Ekzekutive të UNODC, Waly për udhëheqjen e saj të jashtëzakonshme.