Një lagje me shumë probleme duket se është ajo nr.11 në qytetin e Durrësit.
Një qytetare, në një denoncim të bërë sëfundmi në redaksinë e “DurrësLajm“, ngre disa shqetësime që e mundojnë këtë komunitet të kësaj lagjeje në qendër të qytetit bregdetar prej kohësh tashmë.
Problemet fillojnë që tek kutia e kabujve të energjisë elektrike, e cila “në lartësinë e kokës së një njeriu me gjatësi mesatare” bëhet rrezik konstant për këdo që kalon poshtë saj, e deri tek zënia e vizave të bardha prej kontejnerëve të mbetjeve urbane.
Më tej, në denoncimin e saj qytetarja denoncon edhe “zaptimin e tokës” prej vetë banorëve të zonës, për hapësirë parkimi personale.
“Çdo ditë më merr në telefon komshiu ‘dil nga shtëpia lëviz makinën tënde, se e ke lënë tek vendi makinës time’. Me pak fjalë, në mes të Durrësit ‘tok e xanme‘”, shkruan qytetarja, që preferon të mbetet anonime.
Pyetur nëse këtë shqetësim e ka ngritur tek institucionet kompetente, në këtë rast policia bashkiake, ajo shpjegon se ka vënë në dijeni, jo vetëm këtë të fundit, por edhe policinë e rendit, të cilët mesa duket nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit.
“Pasi kam telefonuar policinë bashkiake, më thanë: ‘Në atë lagje i kemi hequr tre herë hekurat dhe i kanë vendosur sërish’. D.m.th., polica me uniformë, të paaftë! Pas kësaj mora Policinë e Shtetit, duke qenë se këto bashkiakët as denjuan të vinin me patrullë, pasi isha e shqetësuar, sepse nuk kisha më as si dilja me makinën time. Të paktën këto të rendit erdhën, por mesa duket ishin të pafuqishëm për të vepruar, pasi qenka kompetencë e qeverisjes vendore“, përfundon denoncuesja.