Milani kampion i Stefano Piolit mund të humbasë një tjetër element të rëndësishëm të tij. Një lojtar të cilin klubi e vlerëson jashtëzakonisht shumë por që këtë vit kishte një rënie të dukshme të rendimentit të tij, Teo Hernandez. Mbrojtësi tani nuk cilësohet më i paprekshëm.
E përditshmja italiane “Tuttosport” ka shpjeguar se rendimenti i futbollistit është shumë më i ulët se në vitet e kaluara dhe bashkë me Leaon, me të cilin krijonin krahun e majtë ndër më të frikshmit në Europë, tashmë kanë pak ndikim në lojën e kuqezinjve.
Ndikim në këtë paraqitje mund të ketë edhe ndryshimi i skemës së Piolit në 4-3-3 të ri, që penalizon mbrojtësit e krahut dhe kjo nga një anë po e ndikon Teon, teksa nga tjetra e bën edhe më pak të rëndësishëm për manovrën e ekipit.
Ndaj e përditshmja italiane insiston se francezi tashmë nuk është më i pashitshëm. Ajo shpjegon se nëse në verë Milani do të marrë një ofertë të ngjashme me atë për Tonali, nuk do të hezitonte t’i përgjigjej pozitivisht asaj, duke i dhënë lamtumirën edhe Teo Hernandez.