Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të LVV-së, Albin Kurti, në lidhje me “mungesën e gjykimeve ndaj kriminelëve të luftës”.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ditën e djeshme ka kërkuar llogari nga Prokuroria Speciale për mosgjykimin e “masakruesve të popullit tonë”.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës, në reagimin e saj, sqaron situatën me këto raste. Thotë se në fund të vitit 2018 ka trashëguar nga EULEX-i rreth 900 dosje për krimet e luftës, si dhe rreth 2000 dosje për personat e zhdukur.
Sipas tyre, nga marrja e kompetencave nga misioni ndërkombëtar, Prokuroria Speciale ka hapur hetime të shumta dhe janë lëshuar letër-rreshtime ndërkombëtare për personat nën hetim. Aktualisht, sipas PSRK-së në fazën e ngritjes së aktakuzës janë personat e arrestuar dhe fizikisht të pranishëm në Kosovë, ndaj të cilëve zbatohet procedura e rregullt penale.
“Ndryshimi i fundit në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i përket hetimit dhe gjykimit në mungesë të personave të cilët kanë kryer krime të luftës. Mirëpo, gjykimi në mungesë mund të realizohet pasi të jenë plotësuar kriteret të përcaktuara me ligj. Kushti i parë ligjor është që personi nën hetim të jetë kërkuar në shtetin/shtetet ku supozohet të jetë sipas parimit të Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar së paku pesë herë”, thuhet në reagimin e PSRK-së.
Sipas tyre, për ta zbatuar kushtin e parë ligjor është e nevojshme që personit nën hetim t’i dërgohet ftesa, dhe atë pesë herë përmes Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar. Prokuroria sqaron më tej se për t’i dërguar ato ftesa nënkuptohet se paraprakisht duhet të sigurohet adresa e banimit e personit nën hetim, gjë që është vështirë të arrihet në raste kur personi në kërkim gjendet në Serbi, për shkak se, “siç dihet, në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka bashkëpunim juridik ndërkombëtar”.
Prokuroria thotë se kushti i dytë ligjor është shfrytëzimi i çdo kanali i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor dhe dështimi i ndalimit të personit nën hetim.
Kurse kushti i tretë ligjor përcakton që pas dështimit të arritjes së këtyre qëllimeve, personi në hetim të jetë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në mjetet e informimit publik të Kosovës, përfshirë Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Nga gjithë kjo është e qartë se gjykimi në mungesë nuk mund të zbatohet me një automatizëm, por nevojitet plotësimi i kushteve të cilat në praktikë vështirë mund të realizohen ashtu siç janë përcaktuar, në raste kur personi që kërkohet gjendet në Serbi”, thekson PSRK-ja.
Prokuroria në njoftimin për media thotë se Ligji për ndryshimin e Kodit të procedurës penale të Republikës së Kosovës, ka hyrë në fuqi me dekretimin e Presidentit të vendit më datë 21.06.2019, që do të thotë se “në këtë periudhë gjashtëmujore në asnjë mënyrë nuk ka qenë e mundur të plotësohen kushtet ligjore për gjykim në mungesë”.
“Andaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e siguron opinionin publik se kjo prokurori është duke bërë përpjekje maksimale drejt zbulimit dhe hetimit të krimeve të luftës dhe krijimin e kushteve për vënien e kriminelëve të luftës para drejtësisë. Në realizmin e kësaj detyre kjo prokurori i aplikon ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe standardet e larta të së drejtës humanitare e ndërkombëtare në fushën e krimeve të luftës”, ka përfunduar Prokuroria Speciale e Kosovës.