Paraqitjet e mira të sulmuesit të krahut, Edon Zhegrova, te skuadra e Baselit në ndeshjet e fundit nuk e kanë befasuar përzgjedhësin e Kosovës, Bernard Challandes.
Në fakt, Challandes ka dëshmuar shumë herë se ka besim të madh te 20-vjeçari edhe kur nuk luan fare në ekipin e tij.
Në një intervistë dhënë të martën për gazetën zvicerane “Blick”, Challandes ka thënë se asnjëherë nuk ka dyshuar në aftësitë ofensive të Zhegrovës. Futbollisti 20-vjeçar, në pesë paraqitjet e fundit që i pati te Baseli, ka realizuar dy gola dhe ka bërë një asistim. Zhegrova deri më tash ka 11 paraqitje tek ekipi zviceran dhe pos dy golave ka bërë edhe tre asistime, shkruan sot Koha Ditore.
“Në futbollin modern, lojtarët ofensivë, gjithashtu, duhet të luajnë edhe në mbrojtje. Dyshja e Liverpoolit, Mohammed Salah e Sadio Mane, gjithashtu, po punojnë për t’u kthyer prapa. Kështu që, edhe Zhegrova është në rrugë të mirë për të bërë një gjë të tillë, pra ta ndihmojë ekipin edhe në mbrojtje”, është shprehur Challandes. “Fillimi nuk ishte aspak i lehtë për Zhegrovën te Baseli, por ai është treguar i durueshëm dhe ka punuar. Tani e gjithë kjo po i shpërblehet me paraqitje të mira te Baseli”.
Pas fitores së Baselit 3:0 ndaj kampionit në fuqi, Young Boysit vikendin e shkuar, Zhegrova ka marrë lëvdata edhe nga mediumet për paraqitjen në këtë ndeshje. Ai në këtë ndeshje ishte titullar dhe kontribuoi me një gol dhe një asistim.