Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka publikuar ditën e sotme pamjet me dron në zonën e inceneratorit të Tiranës, ku sipas saj rezulton se janë depozituar inerte deri në 15 hektarë nga territori i saj.
Kryemadhi ka firmosur të hënën (12 dhjetor) një shtesë padie për inceneratorin për të cilën tha se do ta depozitojë në SPAK.
Deputetja e PL eshte shprehur me tej se: “Ne kemi votuar reformën në drejtësi me 140 vota dhe kryetari i Parlamentit të asaj kohe, Ilir Meta ka qenë hallka kryesore që çoi votimin e kësaj reforme në unanimitet të plotë. Sot sistemi drejtësisë është komplet nën kontroll qeveritar. Sot kemi garë midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt se kush kontrollon drejtësinë”.
Për ish-kryetaren e LSI, aktualisht deputetet e PL, kompanitë e ndërtimit u detyruan nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj të dërgojnë incenertet tek inceneratori , por këto mbetje janë depozituar në zonën për rreth duke shkatërruar pyllin dhe liqenin që sipas saj ishte në këtë zonë.
“Këtë gjë mund ta kishin bërë shumë mirë dhe SPAK, Komisioni Hetimor Parlamentar, Kontrolli i Lartë i Shtetit, media, apo çdo institucion i brendshëm apo i huaj, qeveritar apo organizatë jo fitimprurëse, që ka objekt të veprimtarisë ka luftën kundër korrupsionit dhe transparencën.
15 Hektarë është harta e depozitimeve jashtë territorit të landifillit; pra inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit kanë mbushur një sipërfaqe me 15 Hektarë. Edhe liqene janë bërë tokë”, u shpreh Kryemadhi.
Më tej Kryemadhi u shpreh se: “Bazuar në këtë arsyetim rezulton se ndodhemi në kushtet e nenit 36 të ligjit 125/2013 “për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, pasi koncesionari nuk ka përmbushur kushtet thelbësore të kontratës së koncesionit, e për pasoja kjo kontratë duhet të zgjidhet në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktues.
Përgjegjës për këtë shkelje janë Autoriteti Kontraktues, Bashkia Tiranë dhe Qeveria Shqiptare, pasi me veprimet e tyre për financimin e kontratës së koncesionit nga njëra anë dhe mosveprimet e tyre në marrjen e masave për realizimin e projektit i kanë shkaktuar deri më tani 5 milionë euro dëm ekonomik dhe pritet t’i shkaktojnë në vijim mbi 500 milionë euro dëm ekonomik shtetit shqiptar.
Pas firmosjes së kontratës së inceneratorit të Tiranës, Bashkia Tiranë ndërmori veprime për të detyruar të gjithë ndërtuesit në Tiranë, që dherat e prodhuara nga ndërtimi, të ishin të detyruar ti conin në inceneratorin e Tiranës, kundrejt pagesës. Kjo gjë u denoncua dhe nga kryetari i shoqatës së ndërtuesve, në komisionin hetimor parlamentar.
Kryemadhi theksoi me tej se “inceneratori i Tiranës ka përfituar 60 milionë Euro nga firmat e ndërtimit për depozitim dherash, ndërkohë që dherat janë hedhur jashtë Landfillit, jashtë lejes së ndërtimit.
1. Bashkia Tiranë ka ndikuar përmes një skeme kriminale, që bizneset private të lidhura me bashkinë, pasi firmat e ndërtimit janë të lidhura që nga momenti i parë i marrjes së lejes deri në përfundim të punimeve me Bashkinë Tiranë, që të dërgonin para në llogarinë bankare të inceneratorit. Më pas këto para, nëse ndiqen mund të rezultojnë që janë dhënë nga inceneratori për llogari të drejtorëve të bashkisë apo dhe të zyrtarëve të qeverisë.
2. Inceneratori i Tiranës, ka marrë pagesat, ndërsa dherat I ka depozituar jashtë lejes së ndërtimit. Roli i koncesionarit ka qenë përfitimi i pagesave dhe jo realisht depozitimi i dherave. Droni i teknologjisë së fundit që ka përdorur Kryemadhi, së bashku me llogaritjet e stafit të inxhenierëve pranë saj, tregojnë për Hortofoto me koordinata të qarta”.