Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi presidentin amerikan Joe Biden muajin e kaluar se ai synon t’i japë fund pavarësisë “de facto” të Tajvanit prej dekadash në mënyrë paqësore, nëse është e mundur.
Xi i tha shefit të Shtëpisë së Bardhë se “Pekini do të ribashkojë Tajvanin me Kinën kontinentale, por se koha nuk është vendosur ende”, raportoi NBC News të mërkurën, duke cituar tre zyrtarë të SHBA të informuar për takimin.
Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi shkëmbimin mes liderëve, i cili ndodhi gjatë një samiti të 15 nëntorit jashtë San Franciskos, ku morën pjesë disa zyrtarë amerikanë dhe kinezë sipas New York Post.
“Presidenti Xi ka qenë publik dhe i qartë për dëshirat e tij për ribashkim, kjo nuk është diçka e ndryshme apo e re”, u shpreh pas takimit zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Gjatë samitit, Xi raportohet se tha se “Kina dëshiron ta marrë Tajvanin në mënyrë paqësore, jo me forcë”.