Në Kuvendin e Serbisë të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, shqiptarët që jetojnë në Serbi do të përfaqësohen nga një deputet. Zoti Shaip Kamberi, deputeti i sapozgjedhur edhe për një mandat, i tha Zërit të Amerikës se beteja e tij në Parlamentin e Serbisë mbetet e njëjta – të ngrejë shqetësimet dhe vështirësitë e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ndërkohë studiuesit kritikojnë Serbinë për diskriminimin sistematik ndaj pakicës shqiptare që sipas tyre ka ndryshuar relievin etnik në këtë rajon dhe po lë gjurmë të thella te përfaqësimi politik i shqiptarëve në Serbi.
Për shqiptarët që jetojnë në Serbi, rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të javës së kaluar në Serbi nuk sollën ndryshime. Me një rezultat të pritshëm politik, të fitores së Partisë Progresive Serbe të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës tani po vëzhgojnë se çfarë drejtimi do të marrin përpjekjet për krijimin e qeverisë së re të Serbisë.
Rreth 58,000 shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës do të përfaqësohen në Kuvendin e Serbisë nga Shaip Kamberi, i rizgjedhur deputet në këtë legjislaturë të re me rreth 13,500 vota.