Politikani i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, vendndodhja e të cilit nuk dihej që nga fillimi i dhjetorit, është zhvendosur në një koloni penale në Arktik, tha zëdhënësja e tij më 25 dhjetor.
“Ne e kemi gjetur Aleksei Navalnyn. Ai është tani në IK-3, në vendbanimin Kharp, në rrethin autonom Yamalo-Nenets. Avokati i tij e vizitoi sot. Aleksei është mirë”, njoftoi Kira Yarmysh në platformën e rrjeteve sociale X.
Kolonitë penale janë vendbanime të largëta të krijuara për ndëshkimin e kriminelëve me punë të detyruar dhe izolim nga shoqëria.
Kjo ishte mungesa më e gjatë e Navalnyt që kur u arrestua në janar të vitit 2021, pasi u kthye në Rusi nga Gjermania, ku iu nënshtrua trajtimit për një helmim pothuajse fatal, që ai beson se ishte kryer nga operativët rusë të sigurisë me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.
Mbështetësit e Navalnyt kanë nisur një fushatë në internet duke përdorur hashtagun #WhereIsNavalny, apo në shqip #KuËshtëNavalny.
Shtetet e Bashkuara më 23 dhjetor shprehën “shqetësim të thellë” për fatin e kritikut 47-vjeçar të Kremlinit, “i cili tani është zhdukur në sistemin e burgjeve të Rusisë për gati tre javë”.
“Ne bëjmë thirrje edhe një herë për lirimin e tij të menjëhershëm dhe për t’i dhënë fund shtypjes së vazhdueshme të zërave të pavarur në Rusi”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në X.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric, shkroi në X se ajo kishte “shqetësime serioze” për Navlalnyn dhe bëri thirrje për lirimin e tij “në përputhje me vendimet përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Zyrtarët e burgut kishin thënë se ai nuk ishte më në burgun e rajonit të Vladimirit, ku po qëndronte për ta mbajtur një dënim prej 19 vitesh, por nuk kanë pranuar të thonë se ku ndodhet. Në një deklaratë të 12 dhjetorit, Shërbimi Federal i Ndëshkimit (FSIN) tha vetëm se Navalny ishte larguar “për në një institucion penal jashtë kufijve të Oblastit Vladimir”.
Procesi i transferimit të të dënuarve në Rusi, i njohur si “etap” , përfshin trena të krijuar posaçërisht për të burgosurit.
Trena të tillë kanë ndarje me kafazë për të burgosurit, të cilëve u sigurohet pak ajër i pastër, pa dushe dhe vetëm qasje e kufizuar në ushqim ose në tualet.
Transferimet mund të zgjasin ditë, javë apo edhe muaj pasi trenat ndalojnë dhe të dënuarit kalojnë kohë në burgjet e tranzitit. Të dënuarit pothuajse gjithmonë përballen me poshtërim, rrahje dhe ndonjëherë edhe vdekje në duart e rojeve të tyre ose të dënuarve të tjerë.
Rregullat e ashpra që datojnë që nga koha sovjetike parashikojnë që familjet dhe avokatët e të burgosurve të informohen për vendndodhjen e tyre vetëm pasi të kenë arritur në destinacionin e tyre.
Në fillim të këtij muaji, dy gjykata kishin shtyrë seancat për ankesat e paraqitura nga Navalny, në pritje të informacionit mbi vendndodhjen e tij.
Navalny ishte ankuar për një fushatë të bashkërenduar ngacmimi dhe keqtrajtimi që nga burgimi i tij, duke përfshirë privimin e gjumit, qëndrime të përsëritura në qelitë e ndëshkimit për shkelje të vogla të supozuara dhe mungesë të kujdesit mjekësor.