Shkrimtarit dibran Agron Tufa s‘i ka vajtur mendja asnjëherë në jetë që një ditë ta provojë fatin e kolegëve të tij azilantë: Brodski, Dante, Kadare.
Pas rënies së komunizmit, shkrimtari Ismail Kadare ishte ndër të parët që kërkoi hapjen e arkivave të fshehta. Një letërkëmbim i ashpër me presidentin Ramiz Alia, më 1990, bëri që Kadare të kërkojë azil politik në Francë.
Tri dekada më pas, një tjetër shkrimtar shqiptar kërkon azil.
Agron Tufa, i ndodhur në krye të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, thotë se shkaku i rrezikut për jetë, u detyrua ta braktisë Shqipërinë. Një aeroplan i nisur nga Aeroporti i Prishtinës, Tufën e dërgoi në Zvicër ku edhe po pret ta marrë statusin e azilantit.
Rrëfimin e tij për problemet dhe azilin e ka bërë të ditur në një intervistë për “Koha Ditore”.
Gjysmë viti më parë, deputetë socialistë kërkuan largimin e Tufës nga ky post me arsyetimin se me punën e tij në Institut, po “baltos” dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kurse në korrik, kufizuan me ligj periudhën kohore të studimeve që mund të kryejë ISKPK-ja.
Në shtator, Tufës dhe avokatit të tij i është lënë një mesazh kërcënues në rrjetin social Facebook.
“Ju dhe familjarët tuaj ballistë e fashistë nuk do keni vend më tek ne, se e shkruat vetë fundin tuaj. Si dolët avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do t’ju heqim dhe ne avash të mëdhenj e të vegjël, se ka qenë gabim i madh që për ju pati mëshirë. Të gjithëve gropa ju pret!”
Saga familjare e Tufës e rrëfyer mjeshtërisht në romanin “Tenxherja”, fitues i çmimit “Rexhai Surroi”, të “Grupit KOHA” në vitin 2010, vazhdon ende. Rrëfimi nga koha e diktaturës për Tufën nuk ka mbaruar. Në pritje të një përgjigjeje për azil politik, Tufa iku nga ajo që e cilëson “diktaturë me zor e kamufluar”.
I përballur me reagime të ashpra për shkak të punës në Institutin që merret me krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri, Tufa alarmon për restaurimin e frymës enveriste në Shqipëri.
E gjithë situata u përshkallëzua kur Instituti i Tufës botoi librin studimor “Krimet e komunistëve gjatë luftës (1941-1944)” të historianit Çelo Hoxha. Në fund të librit është botuar një shtojcë me 265 emra, të cilët pretendohet të jenë përgjegjës për krimet e ndryshme gjatë luftës.
Thotë se bashkë me kolegët është përpjekur ta pastrojë historinë e LANÇ-së dhe se lufta antifashiste e popullit shqiptar nuk është monopol i Partisë Komuniste Shqiptare (më vonë PPSH). Megjithatë, heronjtë e saj i cilëson “tullumbace të fryra propagande”, ndonëse e sqaron se askund në libër ata nuk janë cilësuar me termin “kriminelë”. Një gjë të tillë thotë ta kenë bërë një pjesë e mediave.
“Ne duam t’i pastrojmë luftën dhe heronjtë nga gënjeshtrat, nga ajo që nuk i bën nder askujt”, insiston Tufa. Aktin e tij e cilëson disidencë, teksa azilin “të keqe më të vogël dhe zgjidhje të imponuar”. Sido që të jetë, në rast se autoritetet zvicerane refuzojnë t’ia njohin statusin e azilantit politik, Tufa ka një plan B.
“Siç e kam pasë paralajmëruar edhe në një status, do të kërkoj strehim politik familjarisht në Republikën e shtetit të Kosovës”.