Është përcjellë për në banesën e fundit trupi i pajetë i Leonard Farrukut, 27-vjeçari shqiptar që u gjet i vdekur në Britaninë e madhe ndërsa priste shqyrtimin e kërkesës së tij për azil.
Agjencia e lajmeve Reuters, ka ndjekur ceremoninë e vogël të varrimit të martën në periferi të Tiranës dhe ka folur më familjarët e të ndjerit që besohet se u vetëvra më 12 dhjetor, ndërsa gjendej në strukturën akomodimi e ashtuquajtur “Anija Burg”, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për azil. Në varreza, një imam këndoi lutje teksa anëtarët e familjes qanin.
“Vëllai im më i dashur që nuk do ta shoh më kurrë. Ti do të jesh gjithmonë në zemrat tona”, tha motra e tij Marsida teksa hidhte dheun mbi arkivol. Të afërmit e azilantit të pajetë hedhin dyshime sa i takon shkakut të vdekjes. Halla e Leonard Farrukut tha për Agjencinë Reuters, se nipi i saj ishte trajtuar keq në anijen burg. “Ai tha se ishte trajtuar shumë keq atje. Një vezë në mëngjes. Na trajtojnë si kafshë, tha ai. Si familje kemi dyshimet tona se ai është vrarë dhe jo si është raportuar se ka vrarë veten. Shpirtrat dhe zemrat tona do të kenë paqe vetëm kur e vërteta të dalë në shesh. Kjo është ajo që unë di. Ne do të vuajmë derisa të dimë të vërtetën.”
Riatdhesimi i trupit u bë pasi motra e të ndjerit bëri thirrje në rrjetet sociale për mbledhje fondesh dhe mundi të sigurojë 10 mijë paund. Ndërsa Reuters ndoqi ceremoninë e tij mortore, rrjeti britanik BBC, ka publikuar një intervistë të shokut të dhomës së Farrukut. Yusuf Deen Kargbo, i cili i tha mediave britanike se trupi i azilantit shqiptar u gjet i pajetë pas 12 orësh.
Autoritetet britanike thonë se vdekja e Farrukut ishte një aksident tragjik që po hetohet, por shoku i dhomës së azilantit shqiptar, tha se emigrantët në strukturën akomoduese në formë anijeje, “Bibby Stockolm”, nuk kanë shpresa për jetën e tyre.
Struktura akomoduese “BIbby Stokholm”, e propozuar nga qeveria britanike si pjesë e përpjekjeve për të ulur numrin e njerëzve që kalojnë Kanalin anglez me varka të vogla, prej kohësh është kritikuar në publik, për ushqim me cilësi të dobët, dushe me ujë të ftohtë, Wi-Fi jo të sigurt dhe shqetësime të patrajtuara të azilantëve. Kapaciteti i anijes u dyfishua në 500 vende duke futur shtretër marinari për të krijuar kabina të përbashkëta. BBC ka lexuar disa mesazhe që flasin për stres e ankth në anije dhe të tjerë që e cilësojnë si burg.
Vdekja e Farrukut, 27 vjeç, ringjalli polemika rreth anijes”Bibby Stockholm, një maune ludruese për azilkërkuesit që qendron e ankoruar në Anglinë jugore. Grupet e të drejtave e kanë krahasuar me një anije burgu, por autoritetet thonë se është e nevojshme për të ulur kostot e akomodimit të emigrantëve.