Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social “facebook”, pasi presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi ligjin për ngritjen e Komisioneve Hetimore.
Sipas Çupi, Begaj duhet të vlerësonte kushtetueshmërinë e ndryshimeve të njëanshme.
Deputet shton se ndjen keqardhje, që presidenti nuk doli dot përtej interesit politik të atyre që e votuan për të qenë në detyrën ku është.
Postimi i plotë:
Marrja e provave, pyetja e dëshmitarëve dhe debati parlamentar në komisionet hetimore janë përpjekje për të bërë transparencë mbi veprimtarinë institucioneve dhe funksionarëve publikë. Komisionet hetimore janë mishërimi i një prej funksioneve themelore të Kuvendit, ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.
Me këto konsiderata në mendje, Presidenti i Republikës duhet të vlerësonte kushtetutshmërinë e ndryshimeve të njëanshme, pas konsultimeve të gjëra me ekspertë të fushës, shoqërinë civile dhe palë të interesuara.
Nëse do të kishe vepruar kështu, me siguri Presidenti do të qartësohej mbi shkeljet e rënda që përmbajnë ndryshimet ligjore për komisionet hetimore dhe do të kishte kthyer në Parlament ligjin, si mundësi reflektimi nga mazhoranca për t’u kthyer në binarët e Kushtetutës. Keqardhje që Presidenti nuk del dot përtej interesit politik të atyre që e votuan për të qenë në detyrën ku është.