Lëvizja e fundit e Brentfordit forcon edhe më shumë pistën e largimit të Thomas Strakoshës drejt një aventure tjetër, qoftë edhe në formë huazimi. Portieri i Kombëtares Shqiptare e ka shprehur hapur në një intervistë të fundit se kërkon të luajë dhe nuk pranon të qëndrojë vetëm në stol. Ai gjithashtu i ka kërkuar klubit një zgjidhje për këtë.
Por, mesa duket, lëvizja e klubit anglez nuk është në të mirën e Strakoshës, pasi te Brentfordi do të mbërrijë një portier tjetër. Lajmin e bën të ditur gazetari i njohur dhe eksperti i merkatos, Fabricio Romano, i cili raporton se Brentfordi ka arritur marrëveshjen me portierin e Islandës, Hakon Valdimarson. 22- vjeçari do të vijë nga klubi i Elfesborgut në Suedi për rreth 3 milionë euro. Islandezi pritet të jetë numri dy pas Fleken dhe kjo nënkupton se Strakosha do të largohet.
Portieri i Kombëtares shqiptare, pasi nuk rinovoi me Lacion, kaloi në Premier Ligë në verën e 2022- it dhe sezonin e parë luajti vetëm 2 ndeshje. Ndërkohë, pas largimit të portierit të parë Raja te Arsenali, mbërriti Fleken nga Bundesliga dhe Strakosha sërish mbeti në stol. 28- vjeçari këtë sezon është aktivizuar në katër ndeshje, dy në Premier Ligë dhe dy në Kupë, ndërkohë kontrata e tij me Brentfordin është deri në vitin 2026.
I vetëdijshëm se qëndrimi në stol e penalizon për vendin e titullarit me Shqipërinë në kampionatin Europian në qershor, portieri 193 cm i gjatë, shprehu pakënaqësitë e tija edhe me trajnerin e ekipit. Ndërkohë, një mundësi për të është rikthimi në Serinë A në formë huazimi deri në fundin e sezonit, ndërsa edhe nga Turqia ka pasur interesim më parë. Jemi në javën e fundit të merkatos dhe është interesante ajo që do të ndodhë me Thomas Strakoshën.