Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), është transformuar rrënjësisht falë investimit për rikonstruksionin e plotë të saj, duke e shndërruar në një qendër dinjitoze dhe bashkëkohore të cilësisë së lartë, me mjedise të një standardi bashkëkohor në dhurim, testim, përpunim ruajtje dhe shpërndarje.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu vizitoi mjediset e reja të qendrës së rikonstruktuar, të mirëpajisur me teknologjinë më të lartë, ku ndër të tjera është realizuar digjitalizmi i plotë dhurues-pacient në QKTGJ e banka gjaku në Tiranë, automatizimi i mëtejshëm në testim dhe përpunim, centralizimi i mëtejshëm i shërbimeve me qëllim sigurimin e cilësisë maksimale të gjakut dhe garantimin e aksesit të barabartë ndaj gjakut të mjaftueshëm e cilësor në çdo skaj të vendit.
“Këtu jemi në godinën tërësisht të re të qendrës kombëtare të transfuzionit të gjakut, një investim që u realizua nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2023. Ishte një investim total, jo vetëm në infrastrukture, por dhe në pajisje dhe në ngritjen e kapacitetit të stafit që punojnë në këtë qendër. Janë 60 punonjës që punonjës në këtë infrastrukturë dhe që shërbejnë për të gjithë ata dhurues që paraqiten këtu dhe dhurojnë gjak.” – shpjegoi Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, teksa theksoi se “qendra ka marrë edhe certifikatën e akreditimit të cilësisë nga drejtoria europiane për menaxhimin e cilësisë”.
Standardet europiane në dhurim, testim, përpunim, ruajtje dhe shpërndarje të gjakut, bashkëpunimi teknik me qendrën homologe franceze, si edhe stafi i kualifikuar dhe i mirëpaguar, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen me 50% të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut.
“Ne kemi rritje 50% të dhurimeve vullnetare të mbledhura nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe një rritje rreth 20% e dhurimeve vullnetare në tërësi krahasuar me një vit më parë. Ka mjaft sensibilizim dhe më ndryshe është përgjigja e njerëzve ndaj dhurimit vullnetar të gjakut.” – u shpreh Drejtuesja e QKTGJ Irena Qendro.
Ministrja theksoi se po punohet për të krijuar kartën e dhuruesit të gjakut, ku mblidhen pikë në bazë të dhurimit, të cilat ofrojnë lehtësime në shërbime të tjera.
“Po punojmë edhe për kartën e dhuruesit vullnetar. Duam që krahas investimit të bërë deri më tani, të gjithë dhuruesit që vijnë pranë qendrës të kenë një kartë, status të veçantë, që sa herë kryhen procesi i dhurimit, merr pikë, nëpërmjet të cilave krijohen lehtësira në shërbime të tjera. Jemi duke realizuar praktikën dhe modalitetet se si do të jepet kjo kartë.“, theksoi Koçiu.
Me transformimin e realizuar Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është shndërruar në një operator ekselence i Shërbimit Publik Shëndetësor.