Kryeministri Edi Rama, në një dalje për mediat të hënën, vuri theksin edhe njëheër tek projekti “Shqipëria 2030”. Edhe pse ka mbajtur një fjalim relativisht të shkurtër në krahasim me ligjëratat që shpesh ofron kryeministri , Rama nuk ka harruar të përmend projektin “Shqipëria 2030”, lajtmotiv të fushatës zgjedhore të vitit 2021.
I pranishëm në aktivitetin ku u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Egjiptit për ndërtimin e një linjë kabllore nënujore, duke e kthyer Shqipërinë në një autostradë digjitale që lidh lindjen me Evropën qendrore, kreu i qeverisë tha se kjo marrëveshje është një gur kilometrik për sa i takon projektit “Shqipëria 2030”.
Fjala e plotë e Kryeministrit Rama: Dua vetëm të falënderoj nga zemra kompaninë 4iG, e cila është kompania që në Shqipëri aktualisht zotëron dhe administron kompaninë e telefonisë celulare “One”. Sot vjen si një partner i qeverisë shqiptare për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë që do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurtë të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse mes Egjiptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendit tonë që të garantojë një akses në këtë rrugë të re, në këtë autostradë të re digjitale të Mesdheut për një seri vendesh të Evropës. Ky është një projekt i mirëseardhur pasi rrit në mënyrë domethënëse masën e mozaikut të projekteve që ne po bëjmë për ta transformuar Shqipërinë në një vend kampion në rajon për inovacionin, por nga ana tjetër, ky është një projekt i rëndësishëm edhe për besimin e sipërmarrjes në të tërësi, një besim që rritet vit pas viti dhe që gjen shprehje në këtë rast përmes kompanisë 4iG, që zgjodhi Shqipërinë si një pikë referimi për këtë projekt ambicioz. Në pamje të parë, projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelb projekti është projekt marramendës për nga impakti dhe vlera që do të krijojë. Jam i bindur që ky projekt shënon një gur kilometrik në rrugën drejt Shqipërisë 2030, që do pasohet nga projekte të të tjerave përmasave, të ambicies së këtij niveli, që përkon me nivelin e ri ku ndodhet vendi ynë.
Marrëveshja: Shqipëria dhe Egjipti do të kenë një linjë kabllore nënujore duke u bërë pjesë e një rrjeti global të komunikimit të të dhënave si dhe të rrisë konkurrencën në tregjet ndërkombëtare.
Marrëveshja u nënshkrua më herët mes kompanisë 4iG dhe Telecom Egypt dhe sot (5 shkurt) u firmos edhe marrëveshja e mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë 4iG për ndërtimin e linjës kabllore nënujore.
Kjo marrëveshje do ta pozicionojë Shqipërinë si një pikë të re hyrjeje në Evropë. Për Shqipërinë, sistemi i kabujve nënujore do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt, si dhe destinacione të tjera të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar në Evropën Lindore e Qendrore dhe Ballkanit, si Sofja, Vjena dhe Budapesti.