Dries van Agt, kryeministri kristian-demokrat i Holandës nga viti 1977 deri në 1982, ka vdekur nga eutanazia. Lajmin e ka bërë të ditur organizata për të drejtat e njeriut të cilin e themeloi vetë. E njëjta procedurë është kryer edhe te gruaja e tij. Të dy ishin 93 vjeç, shkruan Associated Press.
“Forumi i të Drejtave” raportoi se çifti vdiq të hënën dhe do të varroset në një ceremoni private në qytetin lindor të Nijmegenit.
“Ai vdiq dorë për dore me gruan e tij të dashur, Eugenie van Agt-Krekelberg, mbështetjen dhe spirancën e tij për më shumë se 70 vjet dhe të cilën ai gjithmonë i referohej si ‘vajza ime’ “, ka thënë organizata jofitimprurëse në një deklaratë.
Që të dy ishin në gjendje të dobët shëndetësore prej disa kohësh. Në vitin 2019, Van Agt pësoi hemorragji në tru ndërsa mbante fjalim në një shërbim përkujtimor për palestinezët dhe nuk u shërua kurrë plotësisht.
Demokristiani, i cili u bë gjithnjë e më progresiv pas largimit nga politika, përfundimisht u largua nga partia e tij në vitin 2017 për shkak të mosmarrëveshjeve rreth qasjes së partisë ndaj marrëdhënieve izraelito-palestineze.