David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po “e ndihmojnë Serbinë” dhe “po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”. Kanin i referohet vendimit që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe atij për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, thotë Kanin në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. Një ditë më herët, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb. Kanin thotë se kjo “do të thoshte shumë, pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”. Ai nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve, por thekson se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.
Kanin thotë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.
Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me kritika masive për vendimin e saj për të ndaluar përdorimin e dinarit serb. Fillimisht, si e shihni ju këtë vendim?
David Kanin: Vendimi bazohet kryesisht në audiencën e tij vendase. Kurti këmbëngul se bën hapa në favor të sovranitetit të Kosovës. Ai beson se dialogu nuk shkon në favor të tij dhe përpiqet t’i nënshtrojë serbët në veri [të Kosovës]. Por, nuk ka funksionuar me kryetarët [shqiptarë të komunave në veri] dhe nuk do të funksionojë as me këtë. Për audiencën e tij të brendshme, ai e dallon veten nga kundërshtarët e tij, të cilët shihen si më të lakueshëm ndaj presionit perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës, me këtë vendim, e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara…
David Kanin: Sigurisht, por çfarë do të bëjmë për këtë? Ne e duam Kurtin jashtë, ka kohë që e kemi bërë të qartë. Nuk mendoj se është veçanërisht e rëndësishme retorika e O’Brienit. Ajo që ndodh në politikën e Kosovës ka rëndësi për audiencën e brendshme, por situata ndërkombëtare është shumë më komplekse.
Radio Evropa e Lirë: Po pse një reagim kaq i fuqishëm i SHBA-së ndaj vendimeve të Kosovës?
David Kanin: Është një tjetër dëshmi e antipatisë sonë ndaj Kurtit, e dëshirës sonë që ai të jetë jashtë. Mesazhi ynë për Kosovën është se partneriteti ynë kërcënohet nga veprimet e ndryshme që ai ndërmerr. E kemi pasur të njëjtën ndjenjë kur i ka detyruar kryetarët shqiptarë të komunave të vendosen në veri.
Por, kini parasysh kontekstin e saj – Shtetet e Bashkuara dhe evropianët janë tërësisht të fokusuar në Gazë, në Ukrainë dhe në një sërë problemesh me Kinën. Gjëja e fundit që dëshiron ndonjë ndërkombëtar, janë telashet në Ballkan. Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë.
Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja këmbëngul se do të ketë pasoja për Kosovën. Cilat mund të jenë ato?
David Kanin: Mund të ndërmarrin sanksione, mund të vazhdojnë të bëjnë zhurmë. Nuk e di. Ata po e shfaqin pakënaqësinë. Presioni retorik do të vazhdojë, por, e përsëris, fokusi supozoj se është diku tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Më lejoni të jem hipotetike – çfarë do të thoshte për Kosovën humbja e partneritetit amerikan?
David Kanin: Do të thoshte shumë pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës. Nuk mendoj se do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën. Nuk do ta tërheqim njohjen e sovranitetit të saj, nuk do t’i japim leje Serbisë për ta pushtuar. Nuk mendoj se pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës, do të ndryshojnë. Mendoj se çështja më e rëndësishme, sinqerisht, është vështirësia që Kurti do të ketë me imponimin [e masës për dinarin], ashtu siç e ka pasur me kryetarët e komunave.
Radio Evropa e Lirë: Në dritën e këtyre kritikave dhe paralajmërimeve nga SHBA-ja, a mendoni se duhet të shtyhet apo tërhiqet vendimi që ndalon përdorimin e dinarit?
David Kanin: E kanë shtyrë tashmë, përderisa flasin për periudhë tranzicioni. Mendoj se duhet ta shtyjnë sa më shumë që është e mundur. Do të ishte gjë e mirë sikur ta revokonin plotësisht. Por, kjo nuk do të shkonte në favor të Kurtit sa i përket situatës së brendshme. Ai nuk i ka tërhequr as kryetarët e komunave, por ka lejuar që të zhvillohet një proces, gjatë të cilit mund të largohen.
Atij mund t’i duhet kohë për të gjetur ndonjë mënyrë edhe për tërheqjen e vendimit për dinarin. Mendoj se ka rrezik për Kurtin nëse përpiqet ta zbatojë.
Radio Evropa e Lirë: Kurti ka bërë shumë hapa pa mbështetjen e aleatëve. Pse?