Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar vendet perëndimore kundër dërgimit të trupave në Ukrainë.
Putin shprehet se pasojat e një vendimi të tillë do të ishin tragjike. Në fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit, presidenti Putin akuzoi Perëndimin se po përpiqet të tërheqë Rusinë në një garë armësh. Në të njëjtën kohë, ai tha se Rusia duhet të forcojë mbrojtjen e saj në kufirin perëndimor tani që Suedia dhe Finlanda po i bashkohen NATO-s.
Presidenti Putin tha se Perëndimi provokoi konfliktin në Ukrainë dhe vazhdon të gënjejë pa asnjë siklet duke thënë se Rusia gjoja synon të sulmojë Evropën.Disa vende të NATO-s, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, përjashtuan dislokimin e trupave tokësore në Ukrainë.
Putin gjithashtu u mburr me armët e sofistikuara të Rusisë – si avionët hipersonikë dhe mjetet nënujore dhe tha se forcat strategjike bërthamore të Rusisë janë në një gjendje të gatishmërisë së plotë. Veçanërisht, Presidenti Putin iu referua në mënyrë eksplicite dy viteve të luftimeve në Ukrainë si një luftë, pavarësisht këmbënguljes së tij të përsëritur që pushtimi i Rusisë duhet të përshkruhet si një operacion special ushtarak.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se fjalimi mund të shihet në një masë të madhe si programi zgjedhor i Putinit. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e fjalimit u përqendrua në çështjet e brendshme, duke filluar nga modernizimi i sistemit të taksave te pensionet dhe stimujt që synojnë të rrisin shkallën në rënie të lindjeve në Rusi. Ai foli gjithashtu për nevojën për të përmirësuar shëndetin e kombit, duke njoftuar një sërë masash që synojnë rritjen e jetëgjatësisë së Rusisë, e cila në 70 vjeç është aktualisht një nga më të ulëtat në Evropë.