Banorët e Dukagjinit kanë protestuar sot para Bashkisë së Shkodrës duke kërkuar vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit në qendër të qytetit. Mësohet se banorët kërkojnë të takohen me kryetarin e Bashkisë, Benet Beci lidhur me këtë çështje. Protestuesit thonë se Shqipëria është mbushur me varre greke, serbe e malazeze dhe me buste te pushtuesve turq e grek ndërkohë që një figurë si ajo e Lekë Dukagjinit nuk vendosen.
Po ashtu, ata shprehen se kanë marrë shpesh premtime për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit në Shkodër, hartues i Kanunit dhe krahu i djathtë i Skënderbeut në mbrojtjen e kombit shqiptar përballë pushtuesve osmanë.
Lekë Dukagjini (1410-1481) ka qenë një anëtar i familjes fisnike arbërore të Dukagjinëve, po ashtu dhe bashkëkohës i Skënderbeut. Ai njihet gjerësisht si autori i Kanunit, në të cilin janë mbledhur ligjësitë zakonore të Shqipërisë Veriore.