Zyra e Home Office në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se nuk informon familjarët në rast se ndonjë azil kërkues humb jetën në qendrat e saj pasi nuk do të ngarkojë gjendjen psikologjike të tyre.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kanë ndodhur 176 vdekje që nga 2020 në kampet e azil kërkuesve dhe kur rastet e vetëvrasjeve janë rritur ndjeshëm. Home Office ka konfirmuar se jep më pak informacion për detajet e vdekjeve të tyre se sa më parë.
Këto raste përfshijnë edhe shqiptarin Leonard Farruku i cili vrau veten në dhjetor 2023 në anijen Bibby Stockholm. Familjarët e tij kanë thënë për The Guardian se zyra e Home Office nuk i ka informuar ata për vdekjen e të ndjerit.
Drejtoresha e Inquest, Deborah Coles, e cila është në krye të një shoqate bamirëse për dhënien e ekspertizave për rastet e vdekjeve që lidhen me Anglinë dhe Uellsin tha se zyra e Home Office tregon një përbuzje të plotë për njerëzit që vdesin nën administrimin e tyre si dhe për familjarët e tyre.
‘Ka një mospërfillje për përgjegjësinë e tyre ligjore dhe morale’, shprehet ajo.
Ndërsa një zyrtar i Home Office shprehet se çdo vdekje në ambientet e azileve është tragjike dhe do të jetë gjithmonë subjekt i investigimeve nga policia. Nga ana tjetër ai shton se familjarët e të ndjerit do të kontaktohen nga autoritetet relevante.