Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se Princi Harry i Britanisë mund të deportohet nëse rezulton se ka gënjyer për përdorimin e drogës në aplikimin e tij për vizën amerikane. Trump më parë ka akuzuar Princin për “tradhti” të familjes së tij.
Në një intervistë me ish-udhëheqësin e Partisë Brexit dhe prezantuesin Nigel Farage që do të transmetohej të martën, Trump u pyet nëse do t’i jepte Dukës së Sussex “privilegje të veçanta” nëse autoritetet amerikane të imigracionit zbulojnë se ai u përpoq të fshihte përdorimin e tij të drogës në aplikimin për të hyrë në SHBA.
“Jo”, u përgjigj Trump. “Ne do të duhet të shohim nëse ata dinë diçka për drogën dhe nëse ai gënjeu, ata do të duhet të ndërmarrin veprimet e duhura. “Veprim i duhur? Çka mund të nënkuptojë… të mos qëndrojë më në Amerikë?” u pyet Trump.
“Nuk e di. Duhet të ma thoni ju. Vetëm më tregoni. Kjo do duhej të ishte ditur kohë më parë”, u përgjigj Trump duke lënë të hapur mundësinë se Princi mund të mos shmangë sanksione nga SHBA nëse vërtetohet se ka gënjyer në aplikimin e tij.
Në autobiografinë e tij të vitit 2023, Harry pranoi se kishte përdorur kokainë dhe kanabis në të kaluarën. Aplikantët për viza amerikane duhet t’i përgjigjen ‘po’ ose ‘jo’ pyetjes ‘A jeni apo keni qenë ndonjëherë një abuzues ose i varur nga droga? Princi Harry dhe gruaja e tij, Meaghan Markle, u transferuan në Kaliforni në vitin 2020 pasi u larguan nga detyrat mbretërore. Në një intervistë me ‘Good Morning America’ muajin e kaluar, princi tha se do të konsideronte aplikimin për nënshtetësinë amerikane, por se bërja e kësaj ishte “sigurisht që nuk është diçka që është një prioritet i lartë”.
Përpara transmetimit të intervistës, Fondacioni Heritage paditi Departamentin Amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS) duke kërkuar publikimin e të dhënave të emigracionit të Harryt. Në fillim të këtij muaji, një gjykatës federal urdhëroi DHS-në të dorëzonte dosjet, por departamenti deklaroi të dielën se i duheshin edhe dy javë për t’i gjetur ato. Pasi të gjenden, gjyqtari do të vendosë nëse ato mund të bëhen publike.