Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni po kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim pasi në internet janë ngarkuar video pornografike të cilat janë fotoshopuar me fytyrën e saj.Meloni do të dëshmojë para një gjykate në qytetin Sassari të Sardenjës më 2 korrik. Një burrë 40-vjeçar, që mendohet se ka prodhuar videot dhe babai i tij 73-vjeçar janë nën hetim. Policia ka thënë se ka mundur t’i gjejë duke gjurmuar pajisjen celulare që është përdorur për postimin e videove. Të dy personat akuzohen për shpifje. Sipas ligjit italian, disa raste shpifje mund të jenë penale dhe të kenë një dënim me burg.
Sipas aktakuzës, videot u postuan në një websait pornografik amerikan, ku morrën miliona klikime brenda disa muajve. Ekipi ligjor i Melonit ka thënë se, nëse kërkesa e saj për dëmshpërblim është e suksesshme, ajo do t’i dhurojë 100 mijë euro në një fond për të mbështetur gratë që kanë qenë viktima të dhunës nga meshkujt.
Maria Giulia Marongiu, avokatja e Melonit, tha se shuma ishte simbolike dhe kërkesa për kompensim kishte për qëllim t’i dërgonte një mesazh grave që janë viktima të këtij lloj abuzimi me pushtetin që të mos kenë frikë të ngrisin akuza. Videot e rreme pornografike të saj datojnë para se ajo të emërohej kryeministre në vitin 2022.