Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur paraditen e sotme në Shijak. Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 11:15, është plagosur në këmbë Enidor Dedja, 36 vjeç, banues në Shijak.
Ai ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit Arbër Hoxha, 30 vjeç, banues në Durrës. Po vijon puna për kapjen e tij.
Ngjarja ndodhi në vendin e punës së Dedjas, një pikë shitje për pjesë makinash, por ai nuk ka patur lidhje me konfliktin. Autori Arbër Hoxha i cili tashmë është në kërkim, një natë më parë është konfliktuar me pronarët e biznesit ku punon Dedja. Ai ka shkuar mëngjesin e sotëm dhe ka qëlluar me armë, por plumbat nuk kanë kapur pronarët, vëllezërit Domi, por kapën Enidor Dedjan.
Ndërkohë bëhet me dije se plumbat kanë kapur edhe xhamat e një autobusi pranë dyqanit i cili për momentin nuk ishte funksional dhe nuk kishte njeri brenda. Autori u largua nga vendngjarja me një makinë ‘Ford Fiesta’. Ndërkohë janë proceduar dhe marrë në pyetje dy vëllezërit, pronarë të biznesit ku ndodhi plagosja në këmbë e Enidor Dedjas.
Në vendngjaje bëhet me dije se janë mbledhur 20 gëzhoja nga dy lloje armësh, njëra pistoletë TT dhe tjetra Berreta, të cilat janë përdorur gjatë konfliktit.
Një vajzë duket se ka qenë ‘molla e sherrit’ që çoi në plagosjen e 36-vjeçarit i cili punonte për vëllezërit Domi. Arbër Hoxha mbrëmjen e djeshme është konfliktuar me Fabio dhe Albano Domi, dy vëllezërit të cilët janë pronarët e dyqanit të aksesorëve të makinave ku ndodhi ngjarja.
Nga burimet pranë hetuesisë bëhet me dije se shkak ka qenë një konflikt për motive të dobëta që lidhej me një vajzë, por ende nuk bëhen të qarta “marrëdhëniet” përkatëse me të renë, ndërkohë që po punohet për arrestimin e të riut i cili pas hapjes së zjarrit është arratisur. Sakaq, në vendngjarje janë mbledhur të paktën 20 gëzhoja nga dy lloje armësh, njëra pistoletë TT dhe tjetra Berreta, te cilat janë përdorur gjatë konfliktit midis palëve.