Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Norvegjisë në Serbi, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, më 24 mars 1999.
Në komunikatën e përbashkët të diplomatëve të Francës, Italisë, Gjermanisë, Norvegjisë, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe thuhet se më 24 mars 1999, filloi një ndërhyrje ushtarake që askush nuk e donte: Operacioni Forca Aleate ishte projektuar për të detyruar Slobodan Milosheviqin, presidentin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, t’i jepte fund abuzimit të popullatës civile në Kosovë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe lejimi i kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, si dhe qasjes së organizatave humanitare në Kosovë.
“Ky operacion ushtarak filloi pasi u shteruan të gjitha mjetet politike dhe diplomatike për të bindur Slobodan Milosheviqin që të përcaktohej për zgjidhje përmes bisedimeve dhe për paqen në Kosovë, bazuar në marrëveshjen e Rambujesë dhe me përmbushjen e kërkesave të Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit, të miratuar brenda Kapitullit VII me mbështetjen e Rusisë”.
Sipas diplomatëve të këtyre gjashtë vendeve, operacioni i Forcave Aleate nuk ishte i drejtuar kundër popullit të Serbisë “dhe ne ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve njerëzore në Kosovë dhe Serbi”.
“Sot kujtojmë dhe ndjejmë keqardhje për jetët e humbura të pafajshmëve, por mendojmë edhe për të ardhmen tonë të përbashkët me Serbinë dhe Kosovën në familjen e kombeve evropiane”. “Ne mbështesim gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është një çështje urgjente e sigurisë evropiane, dhe jemi të bindur se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit të arritur nën kujdesin e Bashkimit Evropian është rruga më e mirë përpara drejt paqes dhe stabilitet në të mirë të njerëzve që jetojnë në Serbi dhe Kosovë”.
Në komunikatën e diplomatëve të gjashtë vendeve thuhet se “Ushtria serbe bashkëpunon gjithnjë e më ngushtë me aleancën e NATO-s dhe partnerët evropianë, duke marrë pjesë në misionet e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes. Partneriteti është mënyra se si ne mund të ndërtojmë së bashku të ardhmen paqësore dhe të qëndrueshme që meritojnë popujt tanë”, përfundon komunikata.