Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur për procesin e dialogut me Serbinë, derisa ka kujtuar tre vjetorin e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim në Facebook, Bislimi ka thënë se gjatë kësaj periudhe dialogu u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën Serbia vazhdon ta refuzojë, siç po e dëshmon me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe aneksin implementues të Ohrit.
“Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut”, ka thënë Bislimi.
Ai ka shtuar se viti i fundit i mandatit tonë të parë të plotë qeverisës, do të vijojë me të njëjtin përkushtim, energji e ritëm të punës. “Bashkë kemi arritur shumë, e bashkë do të bëjmë edhe më shumë. Drejt fuqizimit të zhvillimit dhe prosperitetit për shtetin tonë”, ka deklaruar Bislimi.
Postimi i plotë:
Teksa shënuam këtë javë tre vite të qeverisë Kurti II dhe Lëvizjes VETEVËNDOSJE!, shtetin e drejtuam kah e mbara: zhvillimi, drejtësia e siguria.
Në integrim evropian, zhvillim ekonomik, dhe dialog, trasuam rrugën për një trajektore të re, progesiste por edhe të qëndrueshme, e cila i forcon themelet e avancimit demokratik të shtetit, përparimit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së interesave të Republikës e përfaqësimit dinjitetshëm të saj.
Rezultatet, janë të dukshme e të prekshme.Ndërsa në zhvillim ekonomik patëm rritje mesatare ekonomike 6.2% për tre vitet e fundit e rritje të punësimit më shumë se ndonjëherë më parë, në integrim evropian nënshkruam marrëveshje dhe përmbushëm detyrimet në kuadër të atyre ekzistuese, e me anë të cilave do të përfitohen edhe gjithsej 229 milionë euro në formë grantesh, nga BE-ja e partnerë të tjerë.
Ekonomia u zhvillua e njohu dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, por edhe rritje të qarkullimit të bizneseve, ku vetëm gjatë vitit 2023 i njëjti ishte 58% më shumë në krahasim me vitin 2019. Raporti eksport-import u përmirësua nga 1:9 në 1:6 dhe shpenzimet kapitale në vitin 2023 kanë arritur në nivelin më të lartë në historinë e vendit, në vlerën prej mbi 555 milionë euro të ekzekutuara.
Nga 420 mijë vende aktive të punës, gratë dhe të rinjtë ishin përfituesit më të mëdhenj, përmes mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave dhe dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar. Në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 të rinj kurse në vitin 2023 arriti shifrën prej 60,884.
Rruga drejt progresit së brendshmi, e ka si objektiv jo vetëm rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik, por edhe orientimin e shtetit drejt standardeve më të larta evropiane dhe integrimit në strukturat e institucionet ndërkombëtare. Andaj bëmë hapin e parë drejt anëtarësimit në BE, përmes aplikimit në dhjetor 2022, menjëherë pas Raportit për Vendin më të mirë ndonjëherë për Kosovën në atë vit, dhe punës konstante në zbatim të reformave, ku më shumë se gjysma e tyre janë të zbatuara plotësisht ose në zbatim e sipër, por edhe konkluduam përgjatë këtij tre vjeçari reforma të cilat nuk ishin ndërmarrë e plotësuar për vite me radhë.
E për procese të papërmbushura në të kaluarën për vite me radhë, 2024-tën e nisëm me jetësimin e njërit të shumëpritur: atë të liberalizimit të vizave. Gjatë kësaj qeverisjeje tonë, u kujdesëm dhe që benefitet e rritjes së shënuar, të shpërndahen në mënyrë sa më të barabartë midis të gjithë qytetarëve të vendit. Ndër të tjera, realizuam dy pako mbështetëse për qytetarë në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike në vlerë 250 milionë euro, shpërndamë shtesa për mbi 55 mijë nëna lehona dhe shtesa për mbi 400 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçare.
Progresin tonë e dëshmojnë dhe vlerësimet e rankimet ndërkombëtare. Për 21 vende u rritëm në Indeksin e Transparency International, 22 vende më lart në Indeksin e Lirisë së Mediave, ishim të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë sipas Freedom House për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, të parët në Ballkanin Perëndimor për nga rritja e grumbullimit të të hyrave, sipas FMN-së, si dhe përfituam pakon më të madhe mbështetëse në rajon për qytetarë në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e BPV-së, sipas Bankës Botërore.
Rryma në veri, ka filluar të paguhet për herë të parë, e poashtu dhe targat ilegale u larguan nga qarkullimi. Rendi dhe ligji mbizotërojnë tashmë në çdo cep të vendit. Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut.
Ky vit i fundit i mandatit tonë të parë të plotë qeverisës, do të vijojë me të njëjtin përkushtim, energji e ritëm të punës. Bashkë kemi arritur shumë, e bashkë do të bëjmë edhe më shumë. Drejt fuqizimit të zhvillimit dhe prosperitetit për shtetin tonë.