Një grup që trafikonte armë nga Shkodra në Tiranë është goditur nga policia dhe 5 persona janë arrestuar, mes tyre, edhe ish-efektivja e Policisë së Burgjeve, Denisa Halilaj, 22 vjeçe. Ata janë arrestuar në flagrancë teksa po trafikonin 9 armë drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre tek grupet kriminale. Grupi prej 5 personave i kishte siguruar armët në Shkodër dhe mbrëmjen e kaluar, 25 mars, kanë qenë duke kryer trafikun. 4 automatikë dhe 5 pushkë i kishin fshehur brenda një valixheje në bagazhin e makinës, por u kapën në një parking në rrugën e Rinasit.
Të arrestuarit janë një grup të rinjsh, të moshave 18-26 vjeç. Konkretisht janë arrestuar Sabian Hasaj, 22 vjeç, Redi Nika, 18 vjeç, Denisa Halilaj, 22 vjeçe, Denis Hasaj, 18 vjeç, dhe Mirjan Hasaj, 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Halilaj është shkarkuar nga detyra në muajin gusht të 2023, pasi ka braktisur detyrën. Trafiqet e Tiranës kishin marrë informacion për grupin kriminal që do të vinte nga Shkodra për të shitur armët në Tiranë. Fill pas kësaj organizuan operacionin për kapjen e tyre në kushtet e flagrancës. Anëtarët e grupit duket se rolet e tyre i kishin të ndara. 5 personat e arrestuar po lëviznin me dy mjete Në të parin ishin dy persona që kishin rol këqyrjen e rrugës dhe lëvizje të patrullave të policisë. Në mjetin e dytë ishin 3 të tjerët, në bagazhin e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 9 armët dhe municion luftarak. Policia po ashtu ka vënë në sekuestro edhe 2 mjetet me të cilat po lëviznin si dhe 5 celularët.
Armët vinin nga zona veriore të Shkodrës dhe ishin destinuar të shiteshin te grupet kriminale me bazë në Tiranë. 9 armët do t’i nënshtrohen një ekspertize balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse armët e zjarrit janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.