Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vazhdon që ta mbajë një mister reagimin e tij për zhvillimet e fundit, ndërsa nuk sqaron as kërcënimet e lëshuara në drejtim të Kosovës.
“Kam parë çdo deklaratë dhe nuk mund të komentoj. Por do të flas brenda 48 orëve”, u shpreh ai duke nënvizuar se Serbinë e presin edhe më shumë ditë të vështira.
Vuçiç reagoi dhe për kundërshtimin e opozitës ndaj planit për investimi të dhëndrit të Trump në ish-zonën ushtarake të bombarduar nga NATO në vitin 1999.
“Ne duhet të ndërtojmë një muze për viktimat, por ata thonë duhet të lëmë gjithçka të paprekur, dhe pse ta lëmë kështu? Që tallja të vazhdojë”, tha Vuçiç.
Kjo vjen në një kohë kur në Beograd u përmbyll ajo që u konsiderua një konferencë me mbi 100 akademikë nga bota, të cilët bashkë me ministrin e mbrojtjes të Serbisë firmosën një deklaratë të rrezikshme.Në dokument kërkohet shpërbërja e plotë e NATO-s, largimi i të gjitha bazave amerikane nga Europa, bashkë me armët bërthamore, një linjë kjo e ngjashme me atë të Rusisë.
“Bota është në buzë të një humnerë”, lexohet në deklaratë, që në fakt është një tjetër mjet I propagandës ruso-serbe. Ndërkohë, Beogradi ka pranuar edhe njëherë dështimin për mbajtjen e seancës në këshillin e sigurimit të OKB-së për bombardimet e NATO-s në jugosllavi që ndaluan spastrimin etnik serb në Kosovë.