Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Polacit të Drenicës, aty ku mbetën të vrarë 86 persona.
“Përpara se të fillonte lufta në Kosovë, në fshatin Polac të komunës së Skenderajt jetonin rreth 450 familje me mbi 4000 banorë, që të gjithë shqiptarë. Por gjatë ofensivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Kryeministri ka shtuar se preokupimi më i madh i Serbisë pas fushatave vrastare, ishte fshehja e këtyre krimeve. “Pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë. Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve”, ka shkruar Kurti.Ai ka theksuar se gjatë viteve 1998-1999, policia dhe ushtria e Serbisë e dogjën dhe e shkatërruan pothuajse tërësisht fshatin Polac.
“Mbi 450 shtëpi banimi, oda pritjesh e ahrije u dogjën, duke e vështirësuar edhe më shumë kthimin në fshat dhe rindërtimin e jetës në Polac pas luftës. Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës”, është shprehur Kurti.Kryeministri është zotuar se nuk do të heshtin së kërkuari drejtësi për viktimat dhe krimet e luftës.
“Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre! 25 vite pas, i kujtojmë dhe i nderojmë martirët civilë dhe dëshmorët e UÇK-së nga Polaci. Lavdi dhe mirënjohje të thellë”, ka shkruar Kurti.