Pesë sauditë të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi u dënuan me vdekje nga një gjykatë e Riadit, që liroi nga akuzat dy të dyshuarit kryesorë, një këshilltar dhe një shef të shërbimeve sekrete.
Jamal Khashoggi, një bashkëpunëtor i “Washington Post” u vra në moshën 59-vjeçare, në tetor 2018 gjatë një operacioni që ka zhytur Arabinë Saudite në një prej krizave më të rënda diplomatike dhe dëmtoi imazhin e princit trashëgimtar, Mohammed ben Salmane, dyshuar si urdhërues i kësaj vrasjeje.
“Kritik i regjimit saudit pasi e pa nga afër, gazetari u vra… nga një ekip prej 15 personash të ardhur nga Riadi në konsullatën e mbretërisë në Stamboll”, sipas zyrtarëve turq.
Pjesët e trupit të tij nuk u gjetën asnjëherë.
Pasi u dhanë disa versione për vrasjen e tij, autoritetet e Riadit pranuan më në fund se krimi ishte kryer nga agjentët sauditë që kanë vepruar vetëm dhe pa urdhër të drejtuesve të lartë.
“Gjykata dënoi me vdekje pesë personat që kishin marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasje”, theksoi prokurori në një komunikatë./ATSH/