Mbreti Charles do të rifillojë angazhimet publike javën e ardhshme pasi ka bërë përparim në trajtimin për kancerin, ka thënë Buckingham Palace.
Nuk do të jetë ende një rikthim i plotë në angazhimet zyrtare për Mbretin, por pallati po dërgon sinjale positive, sipas BBC.
Mbreti do të fillojë të martën e ardhshme me një udhëtim simbolik në një qendër të trajtimit të kancerit.
Planet e tij verore përfshijnë një vizitë shtetërore, ku ai do të presë perandorin dhe perandoreshën e Japonisë.
Në javët e ardhshme, sipas pallatit, ai do të ndërmarrë më shumë angazhime të jashtme. Mbreti thuhet se është “shumë i inkurajuar” që të kthehet në më shumë ngjarje publike.
Trajtimi i Mbretit, i cili filloi në shkurt vijon ended he nuk ka një datë të caktuar për përfundimin e tij.
“Është shumë herët për të thënë” për sa kohë do të vazhdojë trajtimi i tij, tha pallati.
Ai shtoi se mjekët ishin “shumë të inkurajuar nga përparimi i bërë deri më tani dhe mbeten pozitivë për rimëkëmbjen e vazhdueshme të Mbretit”.
Lloji i kancerit nuk është bërë i ditur, por ekipi mjekësor i Mbretit është “mjaftueshëm i kënaqur me përparimin e bërë deri më tani, saqë Mbreti tani është në gjendje të rifillojë një sërë detyrash përballë publikut”.
Mbetet e pasigurt nëse ai do të marrë pjesë në disa nga ngjarjet e mëdha që vijnë në kalendar, të tilla si Trooping the Colour, përkujtimet e Ditës D, festat e kopshtit veror, Royal Ascot dhe udhëtimet jashtë shtetit në vjeshtë.
Udhëtimi i javës së ardhshme në një qendër për trajtimin e kancerit do të bëhet me mbretëreshën Camilla, dhe ai do të takojë pacientët dhe stafin dhe do të tregojë mbështetjen e tij për kërkimet për kancerit.
Edhe pse ai ka kryer punën e tij si kreu i shtetit, përfshirë takimet e rregullta me kryeministrin, kjo vizitë do të jetë angazhimi i tij i parë zyrtar publik këtë vit.
Familja mbretërore e ka pasur një fillim të vështirë të vitit, ku edhe Princesha e Uellsit po trajtohet për kancer.