Kriza e arsimit dhe shpopullimi, përditë pasoja të rënda
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediat u shpreh se, sipas INSTAT, në vitin shkollor 2023-2024 u regjistruan në arsimin zyrtar 3,7% nxënës më pak se një vit më parë.
Ndërsa, një ulje me 3.6% ka shënuar, sipas saj, edhe numri i studentëve në Universitet krahasuar me një vit më parë.
“Sipas INSTAT-it, në vitin shkollor 2023-2024 u regjistruan në arsimin zyrtar 3,7% nxënës më pak se një vit më parë.
Në arsimin 9-vjeçar u regjistruan 3,4%, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë 4.3%, më pak nxënës se një vit më parë.
Po ashtu, një ulje me 3.6% ka shënuar edhe numri i studentëve në Universitet krahasuar me një vit më parë”, tha Karabina.
Sipas saj, “kjo tkurrje dhe kjo rënie e numrit të nxënësve dhe të studentëve, sigurisht që shoqërohet edhe me pasoja të tjera, duke filluar nga reduktimi i mësimdhënësve dhe në uljen e personelit mbështetës”.
“Kriza e arsimit dhe shpopullimi i vendit është duke dhënë përditë pasoja të rënda, ndërsa nëse nuk marrim masa të menjëhershme e ardhmja do të përkeqësohet”, tha ajo, teksa shtoi se, “të rinjtë zgjedhin të largohen si pasojë e mungesës së shpresës dhe të keqqeverisjes, ndërsa ata që mbarojnë gjimnazin largohen të studiojnë jashtë, për shkak të perspektivës dhe lehtësirave që vendi i tyre nuk ua ofron”.
Karabina theksoi se, “në kushtet e një krize të madhe shoqërore, Partia Demokratike e Shqipërisë ka përgjegjësinë dhe detyrën për të dhënë zgjidhje dhe për ta nxjerr arsimin nga kriza”.