Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj nuk janë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës për t’i dhënë fund jetës. Këtë alibi e kanë hedhur poshtë policia dhe prokuroria e Shkodrës sepse dyshohet se vendi i vetëvrasjes është poshtë urës dhe jo mbi urë. Ndryshimi i pistës së hetimeve vjen pasi një kukull e dyshuar se ishte e njërës prej vajzave të Alma Arrazit zbuloi vendin se ku 39-vjeçarja mund të ketë kryer aktin e rëndë.
Në fund të urës së re Bunës, në këmbët poshtë kësaj ure, në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre efektivët gjetën kukullën e cila është sekuestruar nga prokuroria dhe është çuar për t’i bërë analizën e AND-së nëse ka apo jo lidhje me njërin prej tre fëmijëve të mbytur të Alma Arrazit.
Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9-vjeçe të përqëndrojnë kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit. Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8-vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4-vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.
Ajo që dyshohet është se Alma Arrazi pasi ka konsumuar kafen me kunatën e saj ka kaluar në këmbë në urën e vjetër të Bunës dhe ka vijuar po në këmbë në drejtim të urës së re të Bunës dhe është ulur po në këmbë në fund të kësaj ure në një terren që nuk është shumë i lehtë për t’u zbritur dhe prej aty pasi ka mbërritur në breg dyshohet se kreu edhe aktin e rëndë duke u mbytur bashkë me tre fëmijët e saj, ngjarje e cila mendohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të 2 prillit.