Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me votën e emigrantëve dhe me turin e takimeve të kryeministrit Edi Rama me diasporën. Ai rikujtoi sërish axhendën e kryeministrit Rama për takimet që pritet të zhvillojë.
“Fillon nga Athina turin e takimeve me diasporën. Do jenë në katër faza. Në 12 do jemi në Athinë, 26 maj në Milano, 2 qershor në Londër dhe 16 qershor në Düsseldorf”, sqaroi ai.
Teksa po fliste për votën e emigrantëve, Klosi tha se vizita e Ramës të dielën në Athinë, është pikërisht për energjizimin e diasporës dhe ftesën që i bëhet atyre për t’iu bashkuar vizionit të kryeministrit dhe Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030.
“Në ndryshimet e bëra në Kod është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizita e Ramës në Athinë ka të bëjë edhe me këtë dimension, për kontaktet me diasporën për të pasur një rienergjizim të marrëdhënieve të emigrantëve me shtetin shqiptar dhe ftesën që duet tu bërë aty që të jenë pjesë e vizionit të PS dhe Ramës për Shqipërinë e vitit 2030. Kemi vullnet për votën e emigrantëve, mazhoranca e ka shprehur një gjë të tillë. Kjo është një votë që ka nevojë për një procedurë standarde dhe një debat mbi mënyrën se si do të realizohet. Jemi të dëshiruar për një gjë të tillë. Sa i përket drejtësisë, kushdo që është kërkuar të japë informacion para drejtësisë, nuk ka pasur kurrë pengesë nga PS dhe Rama. Ky është realizim i premtimit për një drejtësi të pavarur”, tha ai.
Klosi u pyet nga gazetarët nëse data e takimit në Greqi është rastësi apo ka lidhje me shënimin e një viti nga arrestimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.
“Ne nuk kemi komente për vendime që do marrë drejtësia, por jeni të qartë që kushdo që është kërkuar të japë informacione para organeve të drejtësisë, nuk ka pasur pengesë nga PS. Sa i përket lidhjes që bëni me kapjes në flagrancë të Belerit, ne turin e kemi deklaruar që në 8 dhjetor. Pasi bëmë proceset zgjedhore dhe turnet brenda vendit, i erdhi radha diasporës, s’ka lidhje me datën e një viti të arrestimit me kandidatin Himarës”, tha ai.