Pas vdekjes së papritur në një incident ajror të presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, Turqia po ndjek më vëmendje zhvillimet në vend dhe po pret të shohë se kush do ta zërë vendin e tyre në krye të regjimit të ajatollahëve.
Marrëdhëniet mes dy fuqive rajonale janë në një moment kyç, thote VOA. Turqia mbajti një ditë zie kombëtare për kreun e shtetit iranian, gjë që nuk ndodhi me vende të tjera, dhe një dron ushtarak turk ndihmoi në kërkimet për gjetjen e helikopterit të rrëzuar të tij.
Analistët mendojnë megjithatë, se në fakt lëvizje të tilla synojnë të fshehin një rivalitet jo të vogël mes Ankarasë dhe Teheranit për ndikim në rajon.
“Konkurrenca politike dhe ekonomike vazhdon. Por, kur shohim deklaratat e presidentit turk, ai është shumë i kujdesshëm që të shmangë diskursin negativ strategjik. Madje Turqia mbajti edhe një ditë zie. Asnjë vend tjetër nuk e bëri këtë; as vendet arabe”, thotë Huseyin Bagci, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, në Ankara.
“Për Turqinë, tashmë e ardhmja e Kaukazit jugor, Irakut dhe Sirisë është shumë jetike për sigurinë e saj kombëtare. Në këto zona, Turqia përballet me Iranin që vepron kundër interesave kombëtare të Turqisë”, thotë Bilgehan Alagoz, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Marmarasë, në Stamboll.
Ushtria turke është përgatitur për një ofensivë madhore në Irak dhe Siri ndaj bazave të grupit rebel kurd PKK, që lufton kundër shtetit turk. Ankaraja e ka kritikuar vazhdimisht Teheranin se nuk mbështet përpjekjet e saj.
Me vdekjen e presidentit Raisi, Irani pritet të organizojë zgjedhje të reja presidenciale. Analistët thonë se Ankaraja mund ta shohë këtë si një mundësi për të përmbushur objektivat e saj, në veçanti duke patur parasysh ndasitë e brendshme në Iran.