Pep Guardiola pritet që të largohet nga Manchester City verën e ardhshme dhe klubi tashmë ka përpiluar listën e ngushtë prej katër kandidatëve potencialë për ta zëvendësuar atë.
Guardiola këtë sezon arriti një tjetër sukses të madh, teksa udhëhoqi ‘Qytetarët’ drejt titullit të katërt radhazi në Ligën Premier.
Që prej se ai u bë pjesë e Cityt në vitin 2016, Guardiola ka fituar plotë gjashtë tituj të ligës, duke shtrirë dominimin absolut në Angli.
Por, ai pritet që t’i jap fund karrierës së tij si trajner i Cityt në fund të sezonit të ardhshëm sipas asaj që raporton Daily Mail.
Spanjollit i kanë mbetur vetëm edhe 12 muaj në kontratën e tij aktuale dhe burimet pranë klubit bëjnë me dije se do të largohet sapo kontrata t’i skadojë.
Manchester City do t’i jap kohë Guardiolës që të marrë vendimin përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij ndërsa dëshira e tyre është që ai të mbetet në krye pasi ka fituar 15 trofe me klubin, duke përfshirë titullin e parë të Ligës së Kampionëve.
Hierarkia e klubit ka frikë se viti i tij i nëntë në krye të klubit do të jetë i fundit për të dhe tashmë kanë nisur punën për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Siç shton raporti janë katër trajnerë që po konsiderohen si pasues të mundshëm të 53-vjeçarit: Michel (Girona), Julian Nagelsmann, Xabi Alonso (Bayer Leverkusen) dhe Roberto De Zerbi.