Parlamenti Europian do të vazhdojë të ketë të njëjtën shumicë si gjatë këtyre 5 viteve. Në zgjedhjet europarlamentare që u zhvilluan nga 6 deri më 9 Qershor, më shumë eurodeputetë siguroi Partia Popullore Europiane që në legjislaturën e re do të ketë 10 përfaqësues më shumë, 186 në total.
Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve mbetet e dyta me 4 eurodeputetë më pak se këto 5 vite. Edhe Liberalët e Rinj u ruajtën vendin e tretë, por me reduktimin më të lartë të numrit të eurodeputetëve me 23 më pak.
Nëse e rinovojnë koalicionin, të tre këto grupime pritet të arrijnë 400 eurodeputetë nga 720 që ka në total parlamenti, të mjaftueshëm për të zgjedhur krerët e institucioneve të reja të Bashkimit Europian. Rritjen më të fortë e patën partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë në mbarë Europën, që në 5 vitet e ardhshme do të kenë një zë më të fortë në vendimmarrjen e unionit.
Spikatin nacionalistët francezë të Marine Le Penit dhe Zhordan Bardela-së, të cilët për të parën herë në historinë e tyre u renditën të parët në shkallë kombëtare dhe morën 30 deputetë, 23 më shumë se në 2019-ën. Radikalët e Djathtë të Alternativës në Gjermani po ashtu morën një rezultat surprizë duke u renditur të dytët, para koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Sholc që ra në vend të tretë. Shumicën e eurodeputetëve gjermanë e mori Unioni Kristiandemokrat dhe ai Socialkristian, të cilët marrin sërish shumicën më pak se 3 vite pas daljes në opozitë në Gjermani.
Në Itali, e djathta nacionaliste e Xhorxhia Melonit, gati 5-fishoi numrin e eurodeputetëve dhe tani do të ketë 24 të tillë. Rritje patën edhe demokratët në opozitë, ndërsa gjithë partitë e tjera patën rënie. Austria është një tjetër vend ku Partia e Lirisë nga e djathta radikale, u rendit e para duke mposhtur partitë e koalicionit qeverisës. Ndërsa në Greqi, Demokracia e re e Qirjakos Micotakisit siguroi 7 vende në Parlamentin e ri Europian, 1 më pak se deri më tani.
Siç duket edhe në këtë hartë, në shumicën e vendeve të unionit dominojnë e djathta dhe e djathta radikale, ndërsa socialdemokratët kanë siguruar shumicë vetëm në Spanjë, Suedi dhe Holandë në koalicion me të gjelbërit.