Një ditë para sfidës decizive me Kroacinë në Euro 2024, trajneri Sylvinho ka dalë në një konferencë për shtyp ku foli për gazetarët në lidhje me zhvillimet e fundit në ekip apo ndeshjen që lamë pas me Italinë.
Pa doza entuziazmi, dhe me një gjuhë disi të kujdesshme, Sylvinho deklaroi se ekip aktualisht nuk ka asnjë mungesë, teksa shtoi se të gjithë lojtarët do të japin maksimumin gjatë 90 minutave, njësoj siç bënë ndaj Italisë.
“Po në këtë moment jemi në rregull. Kemi pasur një trajnim të shkurtër. Do të kthehemi në hotel për të folur me stafin. Nuk kemi asnjë të lënduar.
Ky është një grup shumë i vështirë, por mendoj që është një gëzim i madh të jemi këtu. Po luajmë ndaj ekipeve ndaj më të mëdha, do të bëjmë më të mirën që mundemi. Është gëzim të luajmë kundër ekipeve të mira dhe të forta, me nivele të larta teknike. Është një kompeticion shumë i mrekullueshëm dhe unë asnjëherë nuk do të heq dorë në 90 minuta, në kohën shtesë. Këtë bëmë ndaj Italisë, e respektuam dhe rrezikuam deri në minutën e fundit. Do të jemi aty për të luajtur çdo minutë”, tha Sylvinho.
Në lidhje me ndeshjen me Kroacinë, trajneri i kuqezinjve, vlerësoi kundërshtarët, për një pjesë të të cilëve tha se është nder që të luash ndaj tyre.
“E kemi studiuar Kroacinë, e kemi parë që mbaroi 3-0, por ajo luajti shumë mirë ndaj Spanjës dhe ishte një ndeshje e mirë për ta. Kroacia ka cilësi, aftësi teknikë, pasime të sakta dhe mban topin. Nuk mund të themi që fitorja e Spanjës ishte e lehtë. Ju e keni parë ndeshjen vetë dhe e vutë re sa e vështirë është të luash ndaj Kroacisë. Lojtarët e tyre kanë aftësi të mëdha, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë. Duhet të jemi të duruar. Kapiteni ka të drejtë kur thotë që kemi një përzierje të mirë”, përfundoi ai.