Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange u lirua nga burgu britanik për t’u kthyer në vendin e tij në Australi, pasi beteja e tij 12-vjeçare kundër ekstradimit në Shtetet e Bashkuara përfundoi me një marrëveshje pranimi të fajësisë.
Figura e diskutueshme ka kaluar pesë vitet e fundit në një burg të sigurisë së lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe gati shtatë vjet më parë në ambasadën e Ekuadorit në Londër, duke u përpjekur të shmangë arrestimin që mund ta kishte çuar në burgim të përjetshëm.
52-vjeçari pranoi të deklarohej fajtor për një akuzë krimi në lidhje me rolin e tij të dyshuar në një nga shkeljet më të mëdha të qeverisë amerikane të materialeve të klasifikuara pasi uebsajti i tij informues publikoi gati gjysmë milioni dokumente sekrete ushtarake në lidhje me luftërat e SHBA në Irak dhe Afganistan.
Assange shihet nga admiruesit e tij në mbarë botën si një kampion i fjalës së lirë dhe i gazetarisë investigative, që bëri publike raste abuzimi me pushtetin dhe praktika të tjera të dyshimta të forcave të armatosura të SHBA duke sfiduar me guxim superfuqinë globale. Kritikët e tij në Uashington dhe në vende të tjera të perëndimit, thonë se Assange duke publikuar dokumente të paautorizuara, vuri në rrezik jetën e shumë njerëzve ne Irak, Iran dhe Afghanistan, të cilët në një mënyrë a në tjetrën kishin ndihmuar Shtetet e Bashkuara.
Të shumta janë edhe kritikat mbi publikimin nga WikiLeaks në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale, të dokumenteve të vjedhura nga Komiteti Kombëtar Demokrat, duke dëmtuar kandidaten Hillary Clinton. Assange i mohon akuzat e hetuesve amerikan të cilët pretendojnë se dokumentet janë siguruar nga hakerat rus.
Në qershor të 2012, pasi mbaroi gjithë resurset ligjore dhe duke rrezikuar ekstradimin, Assange kërkoi strehim në ambasadën e Ekuadorit, në një apartament në katin e parë të një ndërtese në qendër të Londrës. Ai qëndroi aty për 7 vite, për të evituar arrestimin, periudhë gjatë së cilës u bë me dy fëmijë. Pasi Ekuadori revokoi azilin, Assange u nxor nga ambasada në prill të 2019-s dhe u dërgua në burg për shkelje të lirimit më kusht.