Performanca të shëmtuara dhe të kritikuara ashpër nga tifozët “Tre Luanë”, por Anglia e Garreth Southgate me dy barazime dhe një fitore ia doli të kualifikohet si e para e Grupit C të Europianit, ku bënin pjesë edhe Sllovenia, Danimarka dhe Serbia.
Pavarësisht kualifikimit në fazën e 1/16, kritikat për lojën nuk mbeten i vetmi shqetësim i Southgate, të cilit këtë të mërkurë i është larguar nga grumbullimi edhe mesfushori Phil Foden.
Ylli i Manchester City-t ka braktisur kombëtaren pas barazimit të mbrëmjes së djeshme kundër Sllovenisë dhe nga Federata Angleze sqarojnë se bëhet fjalë për një “çështje urgjente familjare”.
Foden ka qenë pjesë e formacionit titullar të Anglisë në të tre ndeshjet e grupeve, por performanca e tij ka qenë një ndër më të dobëtat, madje duke bërë që tifozët të kërkojnë zëvendësimin e tij nga Cole Palmer i Chelsea.
Mirëpo, Foden shkëlqeu te Manchester City sezonin e kaluar ku luajti në një pozicion më qendror duke shënuar 27 gola në të gjitha kompeticionet.