Bota
NATO: Shqetësimet për shëndetin e Biden hodhën hije mbi samitin
Shtetet e Bashkuara mirëpritën samitin me rastin e 75-vjetorit të themelimit të NATO-s në kohë të trazuara politike.
Ndërkohë që sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës vazhdojnë ta mbajnë aleancën euro-atlantike në gatishmëri të lartë, lideri i SHBA-së thuhet të ketë qenë në një pozitë të vështirë këto ditë.
Që nga performanca jo e mirë në debatin kundër kandidatit të mundshëm republikan për president, Donald Trump, presidenti aktual Joe Biden është përballur me zëra në rritje nga brenda partisë për të tërhequr kandidaturën e tij për katër vitet e ardhshme.
Megjithëse vetë Biden ka këmbëngulur se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së këtë nëntor, pasiguria që e rrethon udhëheqjen e SHBA-së u ndje edhe mes anëtarëve të NATO-s në samitin në Uashington, njoftuan ekspertët, veçanërisht pasi Trump nuk shihet si një burim stabiliteti për aleancën.
“Njëri kandidat presidencial shpreh dyshime të mëdha për vlerën e aleancës për amerikanët. Kurse tjetri përballet me dyshime në partinë e tij se sa i vlefshëm është si kandidat”, tha Richard Fontaine, drejtori ekzekutiv i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane (CNAS), një institut i pavarur amerikan i fokusuar në politikën e sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes.
“Aleatët vijnë në Uashington jo vetëm për të theksuar angazhimin ndaj Ukrainës, por janë të shqetësuar edhe për zhvillimet politike në partnerin më të rëndësishëm të aleancës”, shtoi ai.
Një diskutim “i pafat”
Publikisht, ata që morën pjesë në samit nuk shprehën asnjë dyshim për aftësinë e Biden për të bërë punën e tij dhe për të kandiduar përsëri në nëntor.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nuk ishte i shqetësuar për shëndetin e presidentit amerikan.
“Nga shumë biseda që kam pasur me presidentin, e di se ai e ka përgatitur këtë samit shumë mirë dhe shumë saktë, së bashku me ne”, tha Scholz.
Ndërkohë, Christoph Heusgen, një diplomat i lartë gjerman, kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut që nga viti 2022, tha se pyetjet që vërtiteshin rreth përshtatshmërisë së Biden për detyrën ishin një “diskutim i pafat”.
“Bota i mban sytë nga SHBA-ja dhe nuk është e dobishme që të ketë një debat si ky tani. Ne kemi nevojë për një SHBA lidere të fortë”, tha Heusgen.
“Shpresoj se ky diskutim do të përfundojë së shpejti”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk do të komentonte mbi shëndetin e presidentit amerikan.
“Një nga arsyet pse NATO është e suksesshme është se ne kemi qëndruar gjithmonë jashtë çështjeve të brendshme politike”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi të para samitit në Bruksel.
Bie besimi tek aleatët
Megjithatë nuk mund të mohohet se ka pasur shqetësime në prapaskenë.
“Privatisht, liderët e kanë vrarë mendjen për gjendjen shëndetësore të Bidenit”, tha Cathryn Clüver Ashbrook, eksperte në Fondacionin gjerman Bertelsmann.
Ajo tha se anëtarët e NATO-s nuk mund të mbështeten vetëm në “shpresën dhe optimizmin” se Biden do mund të jetë i aftë për punën dhe do të mposhtë Trump. Ata duan të jenë të përgatitur pa marrë parasysh se kush do të përfundojë në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Një shenjë e kësaj përgatitjeje: Anëtarët e disa delegacioneve të NATO-s u takuan me ish-zyrtarë të administratës Trump dhe republikanë të afërt të tij ndërsa ndodheshin në Uashington për samitin e NATO-s.
Në një artikull të revistës amerikane “Politico” citohen disa diplomatë dhe pjesëmarrës të samitit të NATO-s, të cilët shprehën shqetësimin për shëndetin e Biden.
Por, gjithashtu edhe zhgënjimin se diskutimi i vazhdueshëm për presidentin e SHBA-së e zbehu atë që supozohej të ishte një samit festiv për anëtarët e aleancës. Megjithatë, shumica e tyre u cituan në mënyrë anonime.
Fjalimi hapës i Biden
Prandaj fjalimi hapës i Biden u ndoq nga afër dhe reagimet ishin kryesisht pozitive.
Politico e quajti atë “të fortë”, ndërsa BBC iu referua fjalimit si “fjalë të shkurtra, por të shprehura me forcë”.
Ekspertja Clüver Ashbrook theksoi se presidenti e përballoi mirë hapjen e samitit ku u nënshkrua Traktati i Atlantikut të Veriut në 1949.
“Biden ka dëshmuar gjithmonë se është i fortë në skenën ndërkombëtare”, tha Clüver Ashbrook.
“Ai dukej se kishte rifituar pak nga energjia e tij. Sigurisht, lexonte nga një teleprompter, por ai gjithsesi arriti të theksonte fort pikat e tij kryesore”, shtoi Ashbrook.
Biden dhe Trump: dy qëndrime shumë të ndryshme për NATO-n
Ndoshta Biden ishte me energji nga fakti se mund të shpallte planet e NATO-s për të dërguar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.
Presidenti i SHBA-së ka qenë gjithmonë një mbështetës i fortë i Ukrainës, duke kërkuar paketa ndihme edhe kur Kongresi hezitonte.
Ai gjithashtu beson fort në rëndësinë e NATO-s dhe rolit të SHBA-së.
“Një shumicë dërrmuese e amerikanëve e kuptojnë se NATO na bën të gjithëve më të sigurt”, tha Biden duke e quajtur mbështetjen për aleancën një “detyrim të shenjtë”.
Trump, nga ana tjetër, ka thënë në të kaluarën se nën udhëheqjen e tij SHBA-ja nuk do të mbronte aleatët e NATO-s nga sulmet ruse nëse ata nuk do të shpenzojnë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.
Ndërkohë, ai e ka relativizuar këtë deklaratë paksa, por ende është e paqartë se çfarë do të sjellë një presidencë tjetër e Trump për SHBA-në dhe NATO-n.
“Një gjë është e qartë nga koha kur Presidenti Trump ishte në detyrë, dhe kjo është se nuk mund të llogarisni se çfarë bën ai”, tha Heusgen.
“Ajo që duhet të bëjmë është të përqendrohemi tek vetja”. /DW/
Bota
Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pasi mijëra pasagjerë mund të jenë ekspozuar ndaj fruthit, sëmundjes më ngjitëse në botë, në aeroportin ndërkombëtar Neëark Liberty në New Jersey.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë të New Jersey-t (NJDOH), një person i infektuar, jo rezident i këtij shteti, ka udhëtuar nëpër terminalet B dhe C më 19 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 19:00, gjatë kulmit të udhëtimeve festive.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendndodhja e saktë e personit nuk dihet, ndërsa po kryhet gjurmimi i kontakteve. Personat e ekspozuar mund të shfaqin simptoma deri më 2 janar 2026. Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës, ndërsa mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, si pneumonia dhe encefaliti.
Sipas CDC-së, në SHBA janë regjistruar mbi 2000 raste fruthi gjatë vitit 2025 dhe tre viktima, duke e bërë këtë shpërthimin më të madh që nga viti 1992.
Ekspertët fajësojnë rënien e normave të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MMR mbetet mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjes. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të kontaktojnë mjekun para çdo vizite shëndetësore në rast dyshimi për ekspozim.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
-
Albania9 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK8 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports7 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania9 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania1 day agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
